• e martë, 26 nëntor 2024

Aliev: Franca do të jetë fajtore nëse shpërthen luftë e re me Armeninë

Aliev: Franca do të jetë fajtore nëse shpërthen luftë e re me Armeninë

Baku, 9 tetor 2023 (MIA) - Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliev akuzoi Bashkimin Evropian dhe paralajmëroi se vendimi i Francës për të dërguar armë në Armeni mund të shkaktojë konflikt të ri në rajon dhe Kaukazin e Jugut, pas operacionit ushtarak të Azerbajxhanit në muajin e kaluar.

Javën e kaluar Aliev nuk mori pjesë në takimin me kryeministrin armen Nikoll Pashinjan organizuar nga Bashkimi Evropian në të cilin Brukseli njoftoi se do të qëndrojë krahë Armenisë, raporton Hina.

Presidenti Aliev tha se "për shkak të qëndrimit të njohur mirë të Francës, Azerbajxhani nuk mori pjesë në takimin në Granadë", ku u mbajt takimi i Komitetit politik evropian, njofton kabineti i presidentit të Azerbajxhanit. 

"Presidenti i shtetit theksoi se dërgimi i armëve nga Franca në Armeni nuk është qasje që do t'i shërbente paqes, por të nxisë një konflikt të ri dhe nëse një konflikt i ri shpërthen në rajon, Franca do të jetë përgjegjëse për shkaktimin e saj", kumtojnë nga kabineti i Alievit. 

Franca ka rënë dakord për marrëveshjen e ardhshme me Armeninë për furnizimin e pajisjeve ushtarake për mbrojtje, tha shefja e diplomacisë franceze Ketrin Kolona më 3 tetor gjatë kohës së vizitës në Jerevan duke refuzuar të sqarojë se çfarë ndihme ushtarake është planifikuar për Armeninë sipas marrëveshjeve të ardhshme të furnizimit.

Presidenti francez Emanuel Makron ka akuzuar Azerbajxhanin duke thënë se Baku duket se ka problem me të drejtën ndërkombëtare.

Alievi muajin e kaluar për vetëm 24 orë e ktheu kontrollin mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabahut me operacion luftarak që shkaktoi eksodin e më shumë se 120.000 armenëve etnik në Armeni. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR