Aktakuzë kundër tetë personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërmjetësim të paligjshëm për qëndrimin e të huajve
- Prokuroria publike e shtetit, përmes Departamentit të specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve, ngriti aktakuzë kundër tetë personave, prej të cilëve gjashtë janë nëpunës policorë. Aktakuza lidhet me shpërdorim të rëndë të detyrës zyrtare, ndërmjetësim të paligjshëm dhe ryshfet me qëllim mundësimin e qëndrimit të paligjshëm dhe marrjen e lejeve të përkohshme të qëndrimit për shtetasit e huaj.
- Post By Ramize Qamili
- 11:53, 21 gusht, 2025
Shkup, 21 gusht 2025 (MIA) - Prokuroria publike e shtetit, përmes Departamentit të specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe anëtarë të policisë së burgjeve, ngriti aktakuzë kundër tetë personave, prej të cilëve gjashtë janë nëpunës policorë. Aktakuza lidhet me shpërdorim të rëndë të detyrës zyrtare, ndërmjetësim të paligjshëm dhe ryshfet me qëllim mundësimin e qëndrimit të paligjshëm dhe marrjen e lejeve të përkohshme të qëndrimit për shtetasit e huaj.
Siç kumtojnë nga Prokuroria, sipas provave të siguruara i akuzuari i parë, së bashku me dy individë, për të cilët procedura hetimore është pezulluar, kanë kryer veprën penale "Marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm". Ata me ndikimin e tyre mbi dy nëpunësit policor i kanë mundësuar një shtetasi turk të qëndronte ilegalisht në vend dhe të merrte leje qëndrimi të përkohshme, për të cilën morën një shpërblim prej 900 euro.
Në mënyrë shtesë, një nëpunës policor nga Vendkalimi kufitar Bllacë e Poshtme është akuzuar për "Marrje të ryshfetit" pasi që nga një shtetas turk ka marrë mjete në vlerë prej 3.000 denarë për të kryer një veprim zyrtar që nuk i lejohej ta kryente. Në marrjen e ryshfetit ndërmjetësuan tre nëpunës policor dhe një person i panjohur, pas çka me dokument udhëtimi të shtetasit të huaj është kryer hyrje fiktive në vend, si kusht për të filluar procedurën për qëndrim.
Në mënyrë të ngjashme, një shtetas tjetër turk me qëndrim të paligjshëm u deportua nga vendi pa u evidentuar në sistemin e kontrollit dhe pa iu ngarkuar gjoba ligjore, me çka ka dëmtuar Buxhetin e RMV-së.
Në aktakuzë është përfshirë dhe një inspektor i lartë për të huajt i cili nga korriku i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, duke vepruar me neglizhencë iu mundësoi shtatë qytetarëve nga Bangladeshi dhe Nepali të merrnin qëndrim të përkohshëm, pavarësisht vlerësimeve negative të sigurisë nga NSA. Ai veproi në kundërshtim me Ligjin për të huajt dhe lëshoi leje qëndrimi për qëllime pune.
Procedura hetimore filloi në maj të këtij viti kur 11 persona u privuan nga liria, ndërsa dy persona nuk ishin të kapshëm për organet e ndjekjes. Ndërkohë, kundër një personi është lëshuar Urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore, ndërsa kundër dy personave është lëshuar Vendim për hedhjen poshtë të kallëzimeve penale. Njëri nga individët që nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes është siguruar dhe ndodhet në paraburgim për ekstradim në Republikën e Serbisë, ndërsa për tjetrin është në fuqi urdhërarresti ndërkombëtar. rq/
Foto: arkivi i MIA-s