• e hënë, 23 dhjetor 2024

Aksios: Pritet që Bajdeni gjatë fundjavës të tërhiqet nga gara për rizgjedhje

Aksios: Pritet që Bajdeni gjatë fundjavës të tërhiqet nga gara për rizgjedhje

Uashington, 18 korrik 2024 (MIA) - Pritet gjatë fundjavës presidenti i SHBA-së, Xho Bajden të tërhiqet nga gara për rizgjedhje, publikoi sot portali amerikan Aksios duke cituar disa demokratë anonim.

Ata konfirmojnë se Bajdeni është përballur privatisht me gjithë presionin e madh, rezultatet e dobëta të anketës dhe pyetjet në lidhje me moshën dhe aftësinë e tij, që e bëri të pamundur që ai të vazhdojë fushatën.

"Liderët më të lartë të partisë së tij, miqtë e tij dhe donatorët kryesorë besojnë se ai nuk mund të fitojë, nuk mund të ndryshojë perceptimet në publik për moshën dhe mendjemprehtësinë e tij dhe nuk mund të komandojë një shumicë në Kongres...Presidentit iu tha se, përderisa ai nuk tërhiqet, ish presidenti (Donald) Tramp mund të fitojë dhe të zhduk trashëgiminë e Bajdenit në nëntor, si dhe shpresat demokratike", theksuan demokratët me kusht anonimiteti.

Sipas një burimi, Bajden mund të zgjedh midis të qenit "një nga heronjtë e historisë" ose faktin që "nuk do të ketë kurrë një bibliotekë presidenciale Bajden". Ai shtoi se shpreson që Bajdeni "do të bëjë punën e duhur" dhe se ai "ka lëvizur në atë drejtim".

Anketa e fundit e "Asoshiejted pres" (AP) i publikuar dje tregon se dy të tretat e votuesve demokratë duan që Bajden të tërhiqet dhe të zëvendësohet nga një kandidat tjetër.

Bajden më parë, pas debatit me Trampin në Si-en-en, dhe para atentatit të dështuar ndaj Trampit, deklaroi se "vetëm Zoti i plotfuqishëm" mund ta bënte atë të tërhiqej nga gara zgjedhore, përderisa javën e kaluar deklaroi se do të tërhiqej nëse jep prova se nuk mund të fitojë në zgjedhjet e caktuara për me 5 nëntor.

Të paktën 20 kongresmenë demokratë i kanë bërë thirrje publikisht Bajdenit të ndërpresë fushatën pas performancës së tij të pakënaqshme në një debat me ish presidentin Tramp. rq/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR