AKI në Gostivar e prezantoi programin parazgjedhor për të rinjtë
- Aleanca Kombëtare për Integrim me kandidatin për kryetar të komunës së Gostivarit, Valbon Limani dhe bartësin e listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi në takimin debatues me të rinj, prezantoi një pjesë të programit parazgjedhor, ku janë paraparë projektet për këtë grup të qytetarëve.
- Post By Besnik Shuki
- 21:57, 6 tetor, 2025
Gostivar, 6 tetor 2025 (MIA) - Aleanca Kombëtare për Integrim me kandidatin për kryetar të komunës së Gostivarit, Valbon Limani dhe bartësin e listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi në takimin debatues me të rinj, prezantoi një pjesë të programit parazgjedhor, ku janë paraparë projektet për këtë grup të qytetarëve.
Limani përmendi se një nga prioritetet të cilat do t'i realizojë në mandain e ardhshëm është përkrahja për të rinjtë deri moshën 30-vjeçare dhe risia, me të cilën nxënësve të shkollave të mesme do t'u ndihmojë në ballafaqimin me bullizmin dhe problemet me të cilat ballafaqohen.
"Të rinjtë të cilët fillojnë biznese startap, komuna do t'i subvencionojë me 60.000 denarë. Angazhimi ynë do të jetë përfshirja e nxënësve të shkollave të mesme në mënyrë që do të emërohen 'ambasadorë nderi' në shkollat e mesme. Këta përfaqësues do të merren me shokët e tyre të klasës që kanë qenë subjekt i dhunës ose bullizmit dhe do të bisedohet mes vete për të gjitha problemet që kanë", tha Limani.
Ai theksoi se komuna e Gostivarit është ndër të paktat që ka zbatuar detyrimet ligjore me politikat rinore dhe rininë dhe premtoi se në mandatin e ri katërvjeçar do të ndërmerren veprime drejt krijimit të kushteve më të mira për të rinjtë.
Bartësi i listës së AKI-së, Valdet Xhaferi, shprehu gatishmërinë për të mbështetur të rinjtë në këshillin e komunës dhe theksoi se kjo është arsyeja pse në listë ka kandidatë nga gjeneratat më të reja.
"Në këtë takim duam të paraqesim pikëpamjet tona dhe të dëgjojmë propozime në mënyrë që të dimë se si të planifikojmë dhe zbatojmë kërkesat e të rinjve në qytetin tonë, përmes një forme institucionale dhe në pajtim me kompetencat e këshillit komunal. Disa nga kandidatët janë të rinj dhe së bashku me ta do të tentojmë të punojmë për të ardhmen e tyre", tha Xhaferi.
Pas fjalimeve, të pranishmit bënë pyetje dhe jeënin propozime, të cilat do të ishin të dobishme për ta. bsh/
Foto: MIA