Ahmeti priti në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani
- Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot ka pritur në takim presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku në fokus të bisedës mes Ahmetit dhe presidentes Osmani ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektiva europane, marrëveshja e arritur me Serbinë si dhe situata në rajon.
- Post By Melahat Baftija
- 20:27, 26 prill, 2023

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot ka pritur në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fokus të bisedës mes Ahmetit dhe presidentes Osmani. siç njoftuan nga BDI-ja ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektiva europane, marrëveshja e arritur me Serbinë si dhe situata në rajon.

Duke e përgëzuar për procesin e liberalizimit të vizave si një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës, Ahmeti dhe Osmani kanë theksuar se në këto çaste vendimtare për të ardhmen europiane të të dy vendeve, është me rëndësi përforcimi i bashkëpunimin dhe konsolidimit të veprimeve deri në finalizimin e qëllimeve.
Procesi i ndryshimeve kushtetuese është cilësuar si i domosdoshëm për rrugën europiane të cilën e ka nisur Republika e Maqedonisë së Veriut, ku kryetari Ahmeti e ka informuar presidenten Osmani mbi iniciativën e fundit ku të përfshirë janë të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë në vend.

Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës bashkë duhet të përshpejtojë hapin drejt Europës, si alternativë e vetme për mbarë rajonin e Ballkanit Perendimor.

"Ahmeti ka shprehur qëndrimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të dialogut dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë", theksuan nga BDI-ja. mb/
Foto: BDI