• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ahmeti me rastin e 22 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit: Bëj thirrje për unitet dhe bashkim në frontin evropian

Ahmeti me rastin e 22 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit: Bëj thirrje për unitet dhe bashkim në frontin evropian

Shkup, 13 gusht 2023 (MIA) - Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti sot, me rastin e 22 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ka dërguar një mesazh duke bërë thirrje, siç thuhet, për unitet dhe bashkim në frontin evropian.

Sipas Ahmetit, për të përfunduar procesin e barazisë dhe integrimit duhet të bëhet hapi i fundit i ndryshimeve kushtetuese.

Kreu i BDI-së po ashtu thekson se vendimet e mëdha kërkojnë guxim e jo kalkulim.

"Sot jemi pjesë e Aleancës Euro-amerikane, jemi në NATO. Po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe me rajonin, ku po unifikojmë kufijtë. Hapëm negociata për anëtarësim me BE-në dhe po përfundojmë skriningun. Për të rrumbullakësuar procesin e barazisë dhe integrimin duhet të ndërmarim edhe hapin e fundit të ndryshimeve kushtetuese. Vendimet e mëdha kërkojnë guxim dhe jo kalkulim, kërkojnë vizion e jo shkurtpamësi, kërkojnë prirje e jo strukim, nuk guxojmë të humbasim shansin e të shuajmë shpresën e qytetarëve për një vend dhe rend europian. Punët nuk përfundojnë asnjëherë, ashtu siç edhe detyrat tona nuk mbarojnë. Po nevojitet angazhimi  yni i përditshëm për të përafruar standardet tona me ato europiane, prandaj ne nuk ndalemi por ripërtrihemi në çdo sfidë që përballojmë", theksoi Ahmeti në mesazh.

Ai u përqendrua edhe në ndryhsimet kushtetuese 

"Sot, më 13 gusht, po shënojmë përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pas luftës së UÇK-së dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001, po i tejkalojmë dhe barierat e fundit drejt barazisë së synuar, por të mohuar. Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar bashkë me tri universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare.  Sot shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret por dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit, duke demostruar kapacitete drejtuese me përgjegjësi shtetërore.  Sot kujtoj edhe të gjithë dëshmorët dhe invalidët, veteranët e martirët, dhe familjet e tyre me nderimet më të larta.  Sot, padyshim se jemi më mirë se dje por punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Gjithmonë bashkë, prandaj dhe në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit, bëj thirrje për bashkim e unifikim rreth Frontit Evropian si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për të siguruar të ardhmen", shkruan Ahmeti në mesazh. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR