• e martë, 24 dhjetor 2024

Ahmeti: Ka raporte ndërnjerëzore, të cilat nuk janë të mira, jo në tërësi, por të disa njerëzve të caktuar

Ahmeti: Ka raporte ndërnjerëzore, të cilat nuk janë të mira, jo në tërësi, por të disa njerëzve të caktuar

Shkup, 29 shtator 2022 (MIA) - Ka raporte ndërnjerëzore, të cilat nuk janë të mira, jo në tërësi, por të disa njerëzve të caktuar. Këto punë duhet të përmirësohen, deklaroi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas takimit të sotëm me anëtarët e degëve partiake nga Çairi dhe Saraji, të cilët para disa ditëve përmes letrës akuzuan se në parti pothuaj dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk formohen trupa statutarë partiakë dhe se vendosja politike u bë individuale.

“Me zënka të tilla merren tashmë 20 vjet. Pushteti ekzekutiv ka probleme tjera, degët dhe komunat kanë probleme tjera dhe natyrisht këtu paraqiten kundërshtime mes këtyre institucioneve. Me pushtetin ekzekutiv, udhëheqësit e degëve biseduan që të rregullohen këto paqartësi, mosmarrëveshje. Përkundrazi, nuk ka asgjë brengosëse. Nuk ka asgjë nga ajo që flitet se do të formohet parti e re”, tha Ahmeti.

Sipas tij, takimet janë konstruktive dhe duhet të ekzistojë debat. Takimi i sotëm me degët nga Saraji dhe Çairi kaloi mirë dhe tha se asgjë nuk është e pariparueshme.

“Raportet ndërnjerëzore janë mbi të gjitha. Funksionet vijnë e shkojnë, por njerëzimi mbetet. Edhe në familje keni zënka dhe askush nuk mund të thotë se ka raporte ideale, mund të ndodhin edhe mosmarrëveshje. Por, të gjejmë energji që t’i tejkalojmë këto mosmarrëveshje, pasi na presin punë të mëdha”, tha Ahmeti. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR