• e enjte, 04 dhjetor 2025

Aeroporti në Bruksel për herë të dytë është mbyllur për shkak të dronëve të rrezikshëm

Aeroporti në Bruksel për herë të dytë është mbyllur për shkak të dronëve të rrezikshëm

Bruksel, 5 nëntor 2025 (MIA) - Aeroporti Ndërkombëtar i Brukselit "Zeventem" mbrëmë për herë të dytë ishte mbyllur më shumë se një orë e gjysmë për shkak të një droni të vërejtur, vetëm gjysmë ore pasi trafiku ajror nga dhe drejt tij u rikthye pas një ndërprerjeje prej gati një ore, raportoi shërbimi publik radiodifuziv belg në gjuhën holandeze, VRT. 

"Zeventem" fillimisht u mbyll për trafikun diku para oërs 20:00, pasi në hapësirën ajrore mbi aeroport u vunë re tre dronë. Pas pak më shumë se një orë, rreth orës 21:00, trafiku nga aeroporti u rikthye, por u ndërpre përsëri pas orës 22:00. 

Zëdhënësi i kompanisë ajrore "Brusels Erlajns", Niko Kardone për VRT-në deklaroi se ishin anuluar 16 fluturime nga Brukseli të parashikuar për mbrëmjen e kaluar. 

"Ato fluturime do të realizohen sonte", theksoi Kardone. 

Ai informloi se tetë fluturime mbrëmë drejt Brukselit u ridrejtuan drejt aeroporteve belge "Ostende-Brizh" dhe "Sharleroa-Bruksel Jug" ose në Ajndhoven në Hollandë.  

"Situata është sfiduese për të gjithë në aeroport. Duam të kujdesemi sa më mirë për pasagjerët tanë, por pak mund të bëjmë. Duhet të presim derisa aeroporti të rihapet plotësisht para se të mund të vazhdojmë operacionet tona", shtoi Kardone.

Shërbimi publik radiodifuziv belg në frëngjisht, RTBF, njoftoi se edhe aeroporti i Liezh, gjithashtu ishte mbyllur për trafikun, gjithashtu për shkak të një droni të vërejtur në hapësirën ajrore të tij. Aeroplanët që ishin planifikuar të uleshin në këtë aeroport u ridrejtuan drejt Mastriht ose Keln. 

Sipas kontrollit të trafikut ajror të Belgjikës, deri tani nuk ka prova që të tregojnë ndonjë lidhje midis dronëve të vërejtur mes dronëve të regjistuar mbi aeroportet e Brukselit dhe Liezh.

Pas këtyre incidenteve, ministri belg i Punëve të Brendshme, Bernar Kuintan, për këtë shskak i ka kërkuar menjëherë kryeministrit Bart De Wever të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

VRT raportoi gjithashtu se më herët dje dronë ishin vërejtur edhe mbi bazat ushtarake “Kleine-Brogel” dhe “Florennes”.

Sipas burimeve policore, në mëngjes rreth orës 6:30, qytetarë raportuan se kishin vërejtur gjashtë dronë mbi bazën ajrore "Klajne-Brogel".

Kjo bazë, ku janë vendosur forcat e NATO-s dhe supozohet se në të ruhet armë bërthamore amerikane, ndodhet në gjendje të gatishmërisë së rritur luftarake pasi dronë u vërejtën mbi të tre net radhazi, nga e premtja deri të dielën.

Në këtë bazë janë të stacionuar aeroplanët luftarakë belg F-16, ndërsa që nga viti 2027 aty do të vendosen edhe aeroplanët e rinj luftarakë F-35, të cilët Belgjika i ka porositur së fundmi nga SHBA-ja.

Gjatë ditës së djeshme dronë u vërejtën gjithashtu edhe mbi bazën ajrore "Floren" ku janë stacionuar aeroplanët luftarakë belgë.

Gjatë peirudhës së kaluar, dronë janë vërejtur edhe mbi tre baza të tjera belge.

Origjina e këtyre dronëve mbetet mister, dhe megjithëse dyshimet janë drejtuar ndaj Rusisë, Ministria e Mbrojtjes e Belgjikës nuk ka prova për t'i konfirmuar këto parashiiki. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR