Aeroplani që dyshohet se transferonte presidentin sirian është zhdukur nga radarët
- Aeroplani i fundit që u ngrit nga Damasku përpara se rebelët sirianë të pushtonin qytetin u zhduk nga radarët pak pas ngritjes mbi qytetin e kontrolluar nga rebelët, Homs, raportuan faqet e internetit për ndjekjen e fluturimeve, raporton "Al Xhezira".
- Post By Sara Ademi
- 12:39, 8 dhjetor, 2024
Damask, 8 dhjetor 2024 (MIA) - Aeroplani i fundit që u ngrit nga Damasku përpara se rebelët sirianë të pushtonin qytetin u zhduk nga radarët pak pas ngritjes mbi qytetin e kontrolluar nga rebelët, Homs, raportuan faqet e internetit për ndjekjen e fluturimeve, raporton "Al Xhezira".
Më herët, mediat perëndimore, duke cituar komandantë ushtarakë të paidentifikuar, raportuan se presidenti sirian Bashar al Asad u largua nga Damasku mëngjesin e sotëm me aeroplan në një lokacion të panjohur.
Sipas mediave, Asadi hipi në një aeroplan të "Ilushin 76" të "Sirian er" me numër të fluturimit 9218. Portali i lajmeve "Valla" raporton se, sipas një zyrtari izraelit të paidentifikuar, Asadi fluturoi nga Damasku mbrëmë në bazën ajrore ruse Hmeimim, me synimin për të vazhduar në Moskë.
Ky zyrtar izraelit iu referua informacioneve të supozuara nga zyrtarë amerikanë se Asadi ishte larguar nga Damasku me qëllimin "të arratisej në Rusi".
Forcat opozitare siriane njoftuan sot se kanë pushtuar Damaskun. Lideri i opozitës, Abu Mohamed al Xhulani, ka theksuar se institucionet publike do të qëndrojnë nën mbikëqyrjen e ish kryeministrit deri në dorëzimin zyrtar të pushtetit.
Kryeministri Mohamad Gazi al-Xhalali deklaroi se mbetet në Damask dhe është i gatshëm për bashkëpunim me opozitën për funksionimin e institucioneve publike. sa/
foto: arkivi