Admirali Kuper i drejtohet Hamasit: Ndalo menjëherë dhunën kundër civilëve të pafajshëm palestinezë
- Komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, Admirali Bred Kuper, i bëri thirrje sot Hamasit që "ta ndërpresë menjëherë dhunën dhe të shtënat ndaj civilëve të pafajshëm palestinezë në Gaza".
- Post By Sara Ademi
- 17:52, 15 tetor, 2025
Gaza, 15 tetor 2025 (MIA) - Komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, Admirali Bred Kuper, i bëri thirrje sot Hamasit që "ta ndërpresë menjëherë dhunën dhe të shtënat ndaj civilëve të pafajshëm palestinezë në Gaza".
Siç deklaroi ai, urdhri i tij vlen si për pjesët e Gazës që janë nën kontrollin e Hamasit, ashtu edhe për zonat ku forcat izraelite janë ende të pranishme.
"Kjo është një mundësi historike për paqe. Hamasi duhet ta shfrytëzojë atë duke u tërhequr plotësisht, duke iu përmbajtur në mënyrë strikte planit të paqes prej 20 pikash të presidentit Tramp dhe duke u çarmatosur pa vonesë. Ne ua kemi përcjellë shqetësimet tona ndërmjetësve të cilët kanë rënë dakord të punojnë me ne për të zbatuar paqen dhe për të mbrojtur civilët e pafajshëm në Gaza. Ne mbetemi shumë optimistë për të ardhmen e paqes në rajon", tha Kuper në një deklaratë.
Deklarata erdhi pas raportimeve për përleshje të armatosura midis luftëtarëve të Hamasit dhe milicive lokale në Gaza, pas tërheqjes së pjesshme të Izraelit nga enklava dhe një shkëmbimi pengjesh dhe të burgosurish të hënën, gjatë të cilit Hamasi ekzekutoi burra që i akuzoi për bashkëpunim me Izraelin.
Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se këto përplasje "nuk e shqetësojnë" dhe se ato "nuk ndikojnë në planin e tij të paqes". sa/