• e martë, 26 nëntor 2024

Abdixhiku: Qëllimi i sulmuesve të dielën ishte të krijohet realitet i ri në veri, e për këtë nevojiten edhe viktima

Abdixhiku: Qëllimi i sulmuesve të dielën ishte të krijohet realitet i ri në veri, e për këtë nevojiten edhe viktima

Prishtinë, 28 shtator 2023 (MIA) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se sulmi në Banjskë ka qenë i organizuar nga Serbia dhe këtë, siç tha, e ka konfirmuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në konferencën për shtyp që e ka mbajtur të dielën më 24 shtator, kur është vrarë polici Afrim Bunjaku, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e tij para Kuvendit të Kosovës, Abdixhiku vlerësoi se caku i sulmuesve ka qenë "të krijohet realitet i ri në veri, e për këtë realitet nevojiten edhe viktima".

“Këtë të diel Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar, mirë të paramenduar terrorist. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli, tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radoiçiq, ndërsa në mbështetje të tij, tashmë pa asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë", tha Abdixhiku.

Ai potencoi se falë dhe në koordinim me aleatët, dita e diel u shndërrua në triumf ndaj terrorit.

"Për Kosovën skenari i tillë është i njohur, kohërat kanë ndryshuar, por njerëzit edhe jo aq. Duke u koordinuar me aleatët, me guxim dhe patriotizëm, e diela u shndërrua në triumf ndaj terrorit. Duhet t'ju falënderohemi policëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në operacion", tha Abdixhiku.

Sipas tij, "në rajon normal sulmin e tillë terrorist duhej të gjithë ta dënojnë, por Ballkani Perëndimor nuk është rajon i tillë".

"LDK-ja me tërë kapacitetin e vet, do t'i përkrah institucionet e Kosovës në konforntime të tilla pa dyshim. Por, sot na duhet mençuri. Këtë pozitë duhet ta shndërrojmë në pozitë për Kosovën. Koordinimi me aleatët është me interes vital sot", porositi Abdixhiku. bsh/

 

QËNDRONI TË LIDHUR