• e martë, 24 dhjetor 2024

Abazoviq: Zgjedhjet në Mal të Zi nuk do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës

Abazoviq: Zgjedhjet në Mal të Zi nuk do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës

Prishtinë, 14 prill 2023 (MIA) - Kryeministri teknik malazez Dritan Abazovic deklaroi sot se Podgorica dhe Prishtina kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se zgjedhjet në Mal të Zi nuk do t'i prishin marrëdhëniet me Kosovën.

Ai në konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se Mali i Zi dhe Kosova janë shembull se si duhet të funksionojnë dy vendet fqinje.

"Jemi në rrugë të mbarë për të bërë disa projekte, të cilat unë do t'i quaja historike. Ideja jonë është të krijojmë akses më të lehtë për të dy popujt e vendeve tona. Ne vijmë me një mesazh të qetë, miqësor dhe në të ardhmen do të kemi një atmosferë që do të jetë shembullore. Në Mal të Zi ndodhën disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën me kapacitetet tona", theksoi Abazoviq.

Ai shtoi se të ardhmen e tyre e shohin në Bashkimin Evropian, se edhe Kosova edhe Mali i Zi kanë treguar se “ishin shumë të suksesshëm me drejtësinë e tyre kundër korrupsionit”.

Abazovic ka ftuar kryeministrin Kurti të vizitojë Podgoricën.

Kurti tha se takimi ka qenë në fokus të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ai shprehu kënaqësinë që Mali i Zi ratifikoi tre marrëveshje në kuadër të procesit të Berlinit.

Më herët, Kurti dhe Abazoviq nënshkruan një Marrëveshje dypalëshe për korridorin në qiell të hapur, e cila siguron leje për përdorimin e hapësirës ajrore malazeze nga avionët që fluturojnë nga aeroporti i Prishtinës.

Abazoviq sot ka nisur vizitën dyditore në Kosovë, gjatë së cilës janë planifikuar takime edhe me liderët dhe opozitën partiake, me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ram dhe me ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Bexhet Pacolli.

Në ditën e dytë të vizitës, Abazoviq do të takohet me zëvendëskryeministren Emilia Rexhepi, me deputetët e grupit parlamentar multietnik në Kuvendin e Kosovës dhe me ministrat në Qeverinë e Kosovës nga komunitetet pakicë. Janë planifikuar edhe takime të Abazoviqit me komandantin e KFOR-it, Anxhelo Ristuca dhe me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Në intervistën e mbrëmshme për TV Klan, Abazoviq tha se Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit në Bruksel dhe Ohër, është e mirë për të gjithë në rajon.

Arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka implikime jashtëzakonisht të mira për të gjithë në rajon. Unë e kuptoj se është një çështje mes dy vendeve dhe ne nuk kemi ambicie të hyjmë dhe të ndërhyjmë, as nuk varet nga ne, theksoi Abazoviq, duke shtuar se do të ishte shumë mirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare. ls/

Foto: Qeveria e Malit të Zi

 

QËNDRONI TË LIDHUR