• e hënë, 23 dhjetor 2024

Abas i ndërpreu kontaktet me Izraelin, Guteresh i brengosur, ndërsa SHBA e mbron të drejtën e Izraelit

Abas i ndërpreu kontaktet me Izraelin, Guteresh i brengosur, ndërsa SHBA e mbron të drejtën e Izraelit

Ramala, 4 korrik 2023 (MIA) - Presidenti palestinez Mahmud Abas dje i ndërpreu kontaktet dhe koordinimin e sigurisë me Izraelin pasi forcat izraelite e filluan ofensivën e madhe kundër militantëve në qytetin Xhenin, në Bregun Perëndimor, citohet në kumtesën e zyrës së tij.

Vendimi është miratuar pasi Abas mbajti mbledhje me udhëheqësit tjerë të Drejtorisë palestineze.

Abas ka pezulluar përkohësisht bashkëpunimin me Izraelin disa herë në të kaluarën gjatë raundeve të mëparshme të dhunës.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, njëkohësisht, shprehu brengë të thellë për ngjarjet në qytetin Xhenin, në bregun Perëndimor, deklaroi zëdhënësi i tij, pasi forcat izraelite e sulmuan Xhenin me drone, në operacionin më të madh në rajon në 20 vitet e fundit. Në sulme humbën jetën të paktën nëntë palestinezë, ndërsa rreth 100 u plagosën.

"Guteresh thekson se të gjitha operacionet ushtarake duhet të ndërmerren me respektim të plotë të së drejtës humanitare ndërkombëtare", tha zëvendës zëdhënësi Farhan Hak.

Ushtria izraelite dje në mëngjes filloi një operacion të madh të cilin e përshkruajti si përpjekje antiterroriste qëllimi i së cilës është shkatërrimi i infrastrukturës dhe parandalimi i militantëve ta shfrytëzojnë kampin e refugjatëve në Xhenin si bazë të tyre për sulme ndaj Izraelit.

Uashingtoni e mbështet "të drejtën" e Izraelit të "mbrohet" dhe bën thirrje në mbrojtje të civilëve.

SHBA beson se Izraeli ka pasur "të drejtë ta mbrojë popullsinë e saj" nga militantët islamik, por bëjnë thirrje në mbrojtjen e civilëve, pas operacionit të djeshëm luftarak izraelit.

"E mbështesim sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e saj ta mbrojë popullin nga Hamasi, xhihadi islamik palestinez dhe grupet tjera terroriste", deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit.

"Është imperativ të ndërmerren të gjitha masat e mundshme të kujdesit që të shmanget vdekja e civilëve", shtoi zëdhënësi.

Uashingtoni, aleati kryesor i Izraelit, gjithashtu bëri thirrje në rivendosjen e bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet shtetit hebraik dhe drejtorisë palestineze. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR