Кoshta: Të gjithë duam paqe në Ukrainë, por Hungaria ka qasje të ndryshme nga 26 anëtarët e tjerë të BE-së
- Të gjithë duam paqe dhe ndryshimi është se 26 vende besojnë se rruga drejt paqes është përmes forcimit të kapaciteteve të Ukrainës, ndërsa Hungaria ka një pikëpamje të ndryshme, deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Koshta në lidhje me dështimin e liderëve të BE-së në Samitin e djeshëm për të miratuar konkluzione në mbështetje të Ukrainës, për shkak të kundërshtimit të kryeministrit hungarez Viktor Orban.
- Post By Fami Bajrami
- 08:20, 7 mars, 2025

Bruksel, 7 mars 2025 (MIA) - Të gjithë duam paqe dhe ndryshimi është se 26 vende besojnë se rruga drejt paqes është përmes forcimit të kapaciteteve të Ukrainës, ndërsa Hungaria ka një pikëpamje të ndryshme, deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Koshta në lidhje me dështimin e liderëve të BE-së në Samitin e djeshëm për të miratuar konkluzione në mbështetje të Ukrainës, për shkak të kundërshtimit të kryeministrit hungarez Viktor Orban.
"Këtu s'ka ndarje. Ne 26 vende vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, siç kemi bërë që nga dita e parë (e invazionit rus) më 24 shkurt të vitit 2022, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë të bashkuar, tha Koshta në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen pas përfundimit të Samitit.
Koshta theksoi se në BE mbetet mbështetja e fortë për Ukrainën nga 26 prej 27 vendet anëtare, të cilat kanë pozicion të përbashkët, e në fakt vetëm Hungaria ka qasje të ndryshme.
"Kjo do të thotë se Hungaria është e izoluar në mesin e 27-ve. Ne e respektojmë pozicionin e Hungarisë, por kjo është kur është 27, 26 është më shumë se një", shtoi Koshta.
Ai theksoi se siguria e Ukrainës është në thelbin e sigurisë së Evropës dhe kjo është arsyeja pse BE-ja ka mbështetur vendin që nga dita e parë e invazionit rus.
"Ne kemi siguruar tashmë më shumë se 135 miliardë euro mbështetje për Ukrainën që nga viti 2022. Mbështetja jonë është e palëkundur - nëse lufta vazhdon, në të gjitha negociatat e ardhshme paqësre, në rindërtimin dhe aderimin në Bashkimin Evropian", tha Presidenti i Këshillit Evropian.
Koshta theksoi se liderët evropianë kanë ngarkuar Këshillin e BE-së të punojë urgjentisht për nisma të mëtejshme për të adresuar nevojat urgjente ushtarake dhe të mbrojtjes së Ukrainës, duke theksuar se Bashkimi po përgatitet të mbështesë Ukrainën kur ajo të vendosë të përfshihet në negociatat paqësore dhe ta ndihmojë atë të arrijë rezultat pozitiv prej tyre, respektivisht një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
"Kjo është një pikë kthese për Evropën. Dhe sot treguam se Bashkimi Evropian po i përgjigjet sfidës. Po ndërtojmë një Evropë të mbrojtjes dhe po qëndrojmë pas Ukrainës. Për arsye se, në fund të ditës, ajo që ne të gjithë duam, ajo që ne të gjithë meritojmë dhe ajo për të cilën ne të gjithë punojmë, është paqja dhe siguria", theksoi Koshta.
I pyetur nëse BE është në gjendje të garantojë sigurinë e Ukrainës pa mbështetjen e SHBA-së, Koshta theksoi se garancia më e mirë e sigurisë janë vetë ukrainasit, të cilët i kanë rezistuar pushtimit rus për më shumë se tre vjet.
"Do ta vazhdojmë me mbështetjen edhe më tutje, madje edhe pas luftës... Garancitë e sigurisë për të ardhmen e Ukrainës janë thelbësore për sigurinë e Evropës, por edhe për sigurinë ndërkombëtare, sepse kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por edhe me respektimin e ligjit ndërkombëtar, respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, respektimin e sovranitetit dhe zbatimin e ligjit ndërkombëtar", tha Koshta, duke shtuar se rezultatet e votimit të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së treguan mbështetje të madhe ndërkombëtare për Ukrainën, kështu që "e drejta ndërkombëtare duhet të mbizotërojë dhe lufta duhet të mposhtet."
Fon der Lajen, nga ana e saj, theksoi se garancia më e mirë e sigurisë për Ukrainën është armata ukrainase, kështu që BE po punon për të mundësuar shtetet e saj anëtare përmes prokurimit të përbashkët të sigurojmë kapacitetet e nevojshme ushtarake për vendin dhe për të mbështetur "ushtrinë e saj të jashtëzakonshme".
Duke iu referuar konkluzioneve të Samitit kushtuar mbrojtjes evropiane, Koshta theksoi se sot ishte një moment vendimtar për Evropën dhe për sigurinë e evropianëve, me vendimin vendimtar për të krijuar një “Evropë të mbrojtjes” të fortë dhe më sovrane.
"Kemi miratuar vendime konkrete për sigurimin e burimeve të reja, mjeteve të reja, instrumenteve të reja për kapacitetet tona mbrojtëse. Kjo do të thotë të investojmë në ekonominë tonë dhe të mbrojmë qytetarët tanë", tha Koshta.
Ai theksoi se ishte marrë vendimi për të investuar në fushat prioritare të mbrojtjes, siç janë mbrojtja ajrore dhe raketore, sistemet e artilerisë, raketat, municionet, dronët, lëvizshmëria ushtarake, inteligjenca artificiale dhe mbrojtja kibernetike dhe elektronike, për të mobilizuar mjete shtesë publike dhe private për nevojat e mbrojtjes dhe që vendet anëtare të investojnë së bashku më mirë dhe më me efikasitet përmes prokurimeve të përbashkëta.
Ajo shtoi se mbështetja e BE-së për forcat e armatosura të Ukrainës nuk ka qenë asnjëherë më urgjente dhe për këtë arsye Bashkimi së bashku me Kievin dhe industrinë e mbrojtjes do të punojnë për të përmbushur nevojat e ushtrisë ukrainase.
Fon der Lajen theksoi se çështja e mbështetjes së Ukrainës është e rëndësishme për vendet anëtare, por edhe për partnerët e BE-së, kështu që ajo dhe Koshta këtë mëngjes do të informojnë partnerët për rezultatet e Këshillit Evropian.
Ajo shtoi se ne të gjithë duam paqe, por se vetëm përmes forcimit është e mundur një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme dhe arritja e një paqeje të tillë është në interes të presidentit amerikan Donald Tramp.
"Kjo mund të arrihet vetëm me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të tij. Ne ishim ata që, për shembull, siguruam mbijetesën ekonomike të Ukrainës për vitin 2025. Ne ishim ata që u siguruam që sistemi energjetik në Ukrainë të zgjaste gjatë dimrit dhe të siguronte 1,8 gigavat energji për sistemin energjetik, gjë që bëri të mundur kalimin e dimrit. Ka kaq shumë shembuj që tregojnë se sa e rëndësishme është mbështetja e Evropës për të arritur një zgjidhje pozitive. Paqja përmes fuqizimit është në interesin e të gjithëve", tha Fon der Lajen.
"Po e përmbushim atë që e kemi premtuar. Le të forcojmë zbrapsjen tonë. Të forcojmë sigurinë e qytetarëve tanë. Dhe, në këtë proces, për të forcuar konkurrentësinë e Evropës dhe bazën tonë teknologjike dhe industriale", tha Koshta, duke shtuar se mbrojtja më e fortë evropiane siguron edhe zbrapsje për Ukrainën dhe përpjekjet për të forcuar mbrojtjen evropiane do të jenë të dobishme edhe për Ukrainën.
Fon der Lajen, nga ana tjetër, vlerësoi se me vendimet e këtij Samiti shkruhet historia, sepse nga ai BE-ja del më e vendosur të garantojë sigurinë e Evropës dhe të mundësojë shpejt dhe me vendosmëri në përputhje me kërkesat e situatës.
"Jemi të vendosur të investojmë më shumë, të investojmë më mirë dhe të investojmë më shpejt së bashku, nga Parisi, përmes Londrës, deri në Bruksel. Ne kemi treguar se jemi të gatshëm dhe të aftë të shtojmë përpjekjet tona të përbashkëta dhe të koordinohemi në mënyrë efikase", tha Fon der Lajen.
Ajo theksoi se është fakt se Evropa po përballet me një rrezik të qartë dhe aktual dhe për këtë arsye u ka prezantuar liderëve evropianë një plan që do t'i lejojë Evropës të forcojë aftësinë e saj ushtarake në mënyrë që të mund të përballet me kërcënimet e sotme dhe të mobilizojë deri në 800 miliardë euro për nevojat e mbrojtjes.
"Bëhet fjalë për marrjen përsipër të përgjegjësisë më të madhe në supet tona për sigurinë tonë, sepse urgjenca për këtë është reale," shtoi Fon der Lajen, duke njoftuar se para Këshillit të ardhshëm të rregullt Evropian më 20 dhe 21 mars, Komisioni Evropian do të prezantojë një kornizë të detajuar juridike për Planin e saj për të riarmatosur Evropën, si dhe një "omnibus për thjeshtësim" për mbrojtjen.
Foto: EPA