• e martë, 11 shkurt 2025

Është kryer mbikëqyrje dhe janë siguruar prova për incidentin e armatosur në Çair ku jetën e humbi një person

Është kryer mbikëqyrje dhe janë siguruar prova për incidentin e armatosur në Çair ku jetën e humbi një person

Shkup, 11 shkurt 2025 (MIA) – Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kryer mbikëqyrje në vendin e ngjarjes në komunën e Çairit, ku në një incident të armatosur mbrëmë ka mbetur i vrarë një person, ndërsa dy janë plagosur.

Siç ka informuar sot Prokuroria publike, sipas informacioneve fillestare, në incidentin kanë marrë pjesë disa persona, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë dhe gëzhoja që do të jenë lëndë e ekspertizës.

Janë siguruar edhe pamje video të cilat janë duke u shqyrtuar. Është dhënë urdhër për autopsi të trupit të të ndjerit, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rastit dhe shkaqet që sollën deri te ky incident.

Në SPB Shkup mbrëmë në orën 23:50 është denoncuar se në një parking në zonën e Çairit, për shkak të mosmarrëveshjeve në komunikacion, ka ardhur deri te një zënkë mes dy grupeve ku është përdorur edhe armë zjarri.

Nga Klinika universitare për sëmundje kirurgjike “Sh. Naumi i Ohrit" mëngjesin e sotëm në orën 00:06 është raportuar se me plagë nga armë zjarri janë sjellë H.B.(35) dhe A.D.(35), të dy nga Shkupi. Më vonë H.B. ka ndërruar jetë, ndërsa ndaj A.D. është kryer ndërhyrje dhe është mbajtur për mjekim. Për shkak të lëndimeve me armë zjarri në Kompleksin klinik “Nënë Tereza” është dërguar edhe N.D. nga Shkupi.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i të ndjerit është dorëzuar për obduksion.

"Pas ndërmarrjes së masave dhe për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në shkëmbim zjarri, nëpunësit policor nga SPB Shkup rreth orës 01:40 në spital kanë privuar nga liria B.B.(39) nga Shkupi, në zonën e Çairit kanë privuar nga liria N.D.(22) dhe më vonë janë gjetur dhe privuar nga liria edhe R.R (41) dhe K.T. (28) të dy nga Shkupi, thuhet në kumtesë.

MPB informon se pas masave të ndërmarra, në vendngjarje janë gjetur dy revole, disa automjete dhe sende të tjera që lidhen me veprën. Personat janë mbajtur në stacion policor dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihen kallëzime përkatëse. 

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR