Çmimi i naftës ka kaluar 100 dollarë për fuçi
- Çmimet e naftës së papërpunuar Brent kanë kaluar 100 dollarë për fuçi për herë të parë pas më shumë se tre vjet e gjysmë, pasi prodhimi dhe transporti në Lindjen e Mesme janë ndërprerë seriozisht nga lufta me Iranin.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:43, 9 mars, 2026
Nju Jork, 9 mars 2026 (MIA) - Çmimet e naftës së papërpunuar Brent kanë kaluar 100 dollarë për fuçi për herë të parë pas më shumë se tre vjet e gjysmë, pasi prodhimi dhe transporti në Lindjen e Mesme janë ndërprerë seriozisht nga lufta me Iranin.
Nafta e papërpunuar Brent arriti në 101,19 dollarë për fuçi për një kohë të shkurtër pas rifillimit të tregtimit në Bursën e mallrave të Çikagos, që është një rritje prej 9,2 për qind nga çmimi mesatar i mbylljes prej 92,69 dollarë të premten.
Javën e kaluar, çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA u rritën për 36 për qind, ndërsa nafta Brent, që është referencë për Evropën, u rrit për 28 për qind.
Rreth 15 milionë fuçi naftë të papërpunuar, rreth 20 për qind e prodhimit global, zakonisht kalojnë çdo ditë nëpër ngushticën e Hormuzit, sipas të dhënave të firmës së pavarur hetimore "Ristad Energji". Por kërcënimi nga raketat dhe dronët iranianë pothuajse e ka ndalur plotësisht trafikun e cisternave të naftës nëpër këtë rrugë ujore.
Iraku, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë ulur prodhimin, sepse rezervuarët e tyre të naftës po mbushen ndërkohë që po përballen me vështirësi për të eksportuar naftën e papërpunuar.
Irani, Izraeli dhe SHBA-ja, gjithashtu, kanë sulmuar objektet e naftës dhe gazit që nga fillimi i luftës, duke i thelluar edhe më shumë shqetësimet për furnizimin.
Gjatë fundjavës, ushtria izraelite sulmoi depot e magazinimit të naftës dhe një terminal nafte në Iran. Irani eksporton rreth 1,6 milionë fuçi naftë në ditë, kryesisht në Kinë, e cila mund të detyrohet të kërkojë burime alternative nëse ndalet eksporti iranian. Ky është një faktor shtesë që mund të rrisë edhe më shumë çmimet e naftës.
Herën e fundit që nafta e papërpunuar amerikane u tregtua mbi 100 dollarë për fuçi ishte më 30 qershor 2022, kur arriti 105,76 dollarë. Për Brent, kjo ndodhi për herë të fundit më 29 korrik 2022, kur çmimi ishte 104 dollarë.
Në SHBA, çmimi i një galloni benzine të zakonshëm arriti dje 3,45 dollarë, që është 47 cent më shumë se javën e kaluar. Nafta (dizeli) po shitet me 4,60 dollarë për gallon. qa/
Foto: Arkivi