• e premte, 05 dhjetor 2025

Çmimet e inovacionit Butterfly shpallin idetë më të reja në Ballkanin Perëndimor

Çmimet e inovacionit Butterfly shpallin idetë më të reja në Ballkanin Perëndimor

Novi Sad, 20 nëntor 2025 (MIA)- Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) shpalli të mërkurën mbrëma fituesit e Çmimeve të edicionit të 4-t të Inovacionit Butterfly në një ceremoni të mbajtur dje në Novi Sad duke festuar disa nga idetë më origjinale, me ndikim dhe vizion afatgjate nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Duke hapur ceremoninë, Sekretari i përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq theksoi se inovacioni nuk është vetëm teknologji, por imagjinatë, guxim dhe aftësia për të parë botën ashtu siç mund të jetë.

“Inovacioni transformon komunitetet, industritë dhe jetët tona. Çdo akt inovacioni, i madh apo i vogël, na çon më afër një të ardhmeje më të mirë,” tha Kapetanoviq, duke shtuar se gati 600 aplikime janë dorëzuar që nga nisja e çmimit katër vjet më parë, përfshirë mbi 130 vetëm këtë vit.

Ai vuri në dukje se cilësia e aplikimeve vazhdon të rritet, me shumë ide të bazuara në kërkime akademike dhe ndikim shoqëror, duke e përshkruar grupin e sivjetshëm si “kreativ, ambicioz dhe i gatshëm të formësojë të ardhmen e rajonit”.

Për të garantuar drejtësi dhe paanshmëri, të gjithë anëtarët e jurisë vijnë nga jashtë rajonit.

Fituesit e këtij viti u shpallën në gjashtë kategori, duke njohur ekselencën në STEM, inovacionin e të rinjve, industria, zgjidhjet e gjelbra, inovacionet universitare dhe sipërmarrjen e udhëhequr nga gratë.

Fituesit e Çmimeve të 4-ta Butterfly për Inovacion

Star Campers – fitues në kategorinë STEM

Një iniciativë e strukturuar e astroturizmit që kombinon kampingun, astronominë dhe edukimin mjedisor. Forcon ekonomitë rurale, angazhon të rinjtë dhe promovon turizmin e qëndrueshëm duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e qiellit të errët.

PM2.5 TRAP – fitues në kategorinë e të Rinjve

Një filtër ajri i pastër, i përballueshëm dhe i përshtatshëm për oxhaqet e banesave familjare që ul emetimet PM2.5 deri në 98%. Lehtë për t’u instaluar dhe me çmim të ulët, i fuqizon familjet të ulin në mënyrë të drejtpërdrejtë ndotjen e dëmshme të ajrit.

EcoTie (TechTie3D) – fitues në kategorinë Industri

Shërbim për prototipim të shpejtë dhe printim 3D që ka dorëzuar mbi 300 prototipe funksionale për qindra klientë. Duke integruar riciklimin e plastikës, mbështet ekonominë qarkulluese dhe ul varësinë nga importet.

Soil Rebirth – fitues në kategorinë e Gjelbër

Transformon mbetjet industriale në briketa toke që aktivizohen me ujë dhe mbështesin gjelbërimin afatgjatë. Mbulesa mund të jetë deri në tre herë më e madhe se ajo e tokës tradicionale; zgjidhja është me kosto të ulët, rezistente ndaj klimës dhe konceptuar në mënyrë qarkulluese.

Dr. Monika Stojanova – fituese në kategorinë Universitet

Kos me bazë bajamesh, i prodhuar duke përdorur nënprodukte ushqimore, ekstraksion të gjelbër dhe fermentim preciz të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale. I qëndrueshëm, ushqyes dhe i fokusuar në uljen e mbetjeve, u përgjigjet kërkesave në rritje për ushqime funksionale dhe miqësore ndaj mjedisit.

Osnazhene – fituese në kategorinë Gratë

Një platformë digjitale për gratë sipërmarrëse që ofron mikro-faqe interneti falas dhe qasje në një treg rajonal online. Rrit dukshmërinë, aftësitë digjitale dhe mundësitë e biznesit për ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë.

Rreth Çmimit

Filluar në vitin 2022, Çmimi i Inovacionit Butterfly i RCC-së nderon individët dhe ekipet idetë e të cilëve kontribuojnë në një Ballkan Perëndimor më të gjelbër, “smart” dhe më konkurrues. Gjatë katër viteve, çmimi është shndërruar në një platformë rajonale inovacioni të mbështetur nga vlerësues të jashtëm, partnerë akademikë dhe agjenda më e gjerë e inovacionit e RCC-së. Çmimi financohet nga Bashkimi Evropian.

 

QËNDRONI TË LIDHUR