• e diel, 22 dhjetor 2024

Çitaku: Me paratë e qytetarëve Kurti udhëheq fushatë partiake në diasporë, keqpërdor diplomatët

Çitaku: Me paratë e qytetarëve Kurti udhëheq fushatë partiake në diasporë, keqpërdor diplomatët

 Prishtinë, 9 nëntor 2024 (MIA) - Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike opozitare të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, si dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, se po "kamuflojnë agjendën partiake si punë zyrtare dhe qeveritare", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

 Çitaku në konferencën e sotme për shtyp tha se Kurti dhe Gërvalla po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik me paratë e taksapaguesve për të kryer, sipas saj, një fushatë partiake në diasporë.

 "Ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri - e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake", ka thënë Çitaku.

 Duke i bërë thirrje kryeministrit dhe shefes së diplomacië të mos i përdorin përfaqësitë diplomatike për qëllime partiake dhe zgjedhore, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA deklaroi se sjellja e tyre është "e papranueshme dhe e turpshme". 

 "Dhe, mbi të gjitha, është një manipulim i diasporës sonë, e cila meriton respekt dhe ndershmëri, jo skema të ulëta politike. Bashkatdhetarët tanë në mërgatë kanë treguar një përkushtim të palëkundur ndaj Kosovës ndër dekada. Ata meritojnë respekt, jo manipulim", tha Çitaku.

 Ajo ka thënë se Kurti e Gërvalla po ushtrojnë presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

"Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi. Mos lejoni të përdoreni si instrumente në fushatën e kësaj qeverie.  Kujtoni, ju jeni përfaqësues të Kosovës, jo përfaqësues të një axhende partiake”, ka thënë Çitaku. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR