Zelenski u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s
- Stabiliteti dhe parashikueshmëria e mbështetjes për Ukrainën është ajo që e siguron nxitjen e vërtetë për Rusinë - nxitje për zgjedhje të diplomacisë. Ata në Moskë duhet të shohin se Ukraina nuk do të jetë vetëm në përballjen me luftën, deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pas takimit të sotëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute në Odesa.
- Post By Melahat Baftija
- 17:57, 15 prill, 2025

Odesa, 15 prill 2025 (MIA) - Stabiliteti dhe parashikueshmëria e mbështetjes për Ukrainën është ajo që e siguron nxitjen e vërtetë për Rusinë - nxitje për zgjedhje të diplomacisë. Ata në Moskë duhet të shohin se Ukraina nuk do të jetë vetëm në përballjen me luftën, deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pas takimit të sotëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute në Odesa.
Ai edhe një herë i ka falënderuar "të gjithë në mbarë botën të cilët vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën".
"Është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojmë të punojmë së bashku brenda koalicionit të atyre që janë të gatshëm dhe të aftë të garantojnë sigurinë. Britania, Franca dhe vende të tjera të NATO-s tashmë po hedhin në mënyrë aktive themelet për një kontingjent sigurie në Ukrainë. Është thelbësore që të gjithë të jemi mjaftueshëm të shpejtë dhe efektivë në këtë proces", tha Zelenski.
Ai theksoi se Misioni i NATO-s për ndihmë dhe trajnim për sigurinë për Ukrainën në Vizbaden, gjithashtu duhet të fillojë të veprojë me efikasitet maksimal dhe efikasiteti i tij do të kontribuojë drejtpërdrejt në mbrojtjen e jetës së popullit ukrainas.
"Ne presim që marrëveshjet tona të mbrojtjes ajrore në Evropë dhe Amerikë do të zbatohen. Na duhen sisteme Patriot, jemi gati të bashkohemi, të gjejmë para për t'i blerë ato. Ka sisteme në botë dhe varet vetëm nga vendimi i udhëheqësve nëse do të kemi mbrojtje të mjaftueshme kundër raketave balistike ruse", theksoi Zelenski. mb/
Foto: Zelenski në Fejsbuk