Zelenski: Rritet arroganca e rusëve
- - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se "po rritet arroganca e rusëve", duke komentuar sulmet intensive të forcave të armatosura ruse në territorin e Ukrainës.
- Post By Ramize Qamili
- 09:24, 3 shtator, 2025
Kiev, 3 shtator 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se "po rritet arroganca e rusëve", duke komentuar sulmet intensive të forcave të armatosura ruse në territorin e Ukrainës.
Në porosinë e publikuar në rrjetet sociale ai tha se Kievi do të përgjigjet në mënyrë "asimetrike".
"Arroganca e rusëve po rritet - gjithnjë e më shumë po e sulmojnë Ukrainën gjatë ditës me dhjetëra dronë sulmues. Mbrëmë kishte 150 dronë, këtë mëngjes më shumë se 50, ndërsa shumica e tyre ishin 'Shahedi'", informoi Zelenski.
Sipas tij, ky zhvillim i ngjarjeve tregon mungesën e respektit të përpjekjeve të paqes nga ana e Moskës. Zelenski shtoi edhe se forcat e armatosura ruse po grumbullojnë forca në "pjesë të caktuara të frontit".
"Rusia vazhdon të sulmojë. Sigurisht, ne do t'i përgjigjemi kësaj. Do të përgjigjemi, duke përfshirë edhe në mënyrë asimetrike, në mënyrë që Rusia definitivisht të ndiejë pasojat e paturpësisë së saj", shkroi presidenti ukrainas. rq/
Foto: arkivi i EPA-s