Zelenski: Orban nuk do ta ndalë lëvizjen e Ukrainës drejt BE-së, ashtu siç dështoi Rusia
- Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk mund ta ndalë lëvizjen e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian ndërsa përpjekjet e tij për të bllokuar këtë proces tregojnë vetëm mbështetjen e tij për retorikën e Moskës, deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
- Post By Ramize Qamili
- 19:16, 7 nëntor, 2025
Kiev, 7 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk mund ta ndalë lëvizjen e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian ndërsa përpjekjet e tij për të bllokuar këtë proces tregojnë vetëm mbështetjen e tij për retorikën e Moskës, deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Presidenti amerikan, Donald Tramp dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, sot do të takohen në Shtëpinë e Bardhë.
"Në vend të parë, Orbani dëshiron ta sjellë Trampin në Hungari për t'u takuar me Putinin. Nëse do të ketë takim - kudo që të zhvillohet - ai do të çojë në një armëpushim dhe përfundimin e luftës, ndërsa Ukraina do ta mbështesë, pavarësisht formatit të tij. Por nëse takime të tilla nevojiten vetëm për "fishekzjarrët zgjedhorë" të Orbanit dhe nuk do të japin rezultate, atëherë nuk mund t'i mbështesim", tha Zelenski.
Presidenti ukrainas theksoi se vendi mund të bjerë dakord për çdo vend të mundshëm për negociata, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë - "ndërsa pastaj gjithçka do të varet nga rezultati".
Ndërkohë, presidenti ukrainas shprehu besim se gjatë takimit të Orbanit me Trampin, kryeministri hungarez do të inicionte çështjet e energjisë - veçanërisht sanksionet kundër kompanive ruse.
Ai, gjithashtu, potencoi se gjatë takimit të sotëm midis Trampit dhe Orbanit, kryeministri hungarez do të insistojë që Putini dëshiron t'i japë fund luftës.
Zelenski theksoi se Ukraina nuk ka asgjë kundër Hungarisë apo popullit të saj, por nuk mund të heshtë kur udhëheqja e një vendi fqinj ndihmon në përhapjen e propagandës ruse.
Sipas tij, Orban nuk duhet të përqendrohet te "urrejtja ndaj Ukrainës", por te marrëdhëniet konstruktive dhe zhvillimi i ekonomisë së përbashkët evropiane. rq/
Foto: Fejsbuku i Zelenskit