• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski i zemëruar pasi që Hungaria i ndaloi hyrjen shefit të forcave të dronëve të Ukrainës

Zelenski i zemëruar pasi që Hungaria i ndaloi hyrjen shefit të forcave të dronëve të Ukrainës

Budapest, 28 gusht 2025 (MIA) - Qeveria hungareze i shqiptoi ndalesë trevjeçare për hyrje në zonën Shengen shefit të forcave të dronëve ukrainas, Robert Brovdi pas sulmit ndaj naftësjellësit rus drejt Hungarisë, që shkaktoi zemërim tek presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, transmeton DPA.

"Sulmi i rëndë ajror i kohëve të fundit në naftësjellësin 'Druzhba' ishte sulm ndaj sovranitetit të Hungarisë", tha ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Peter Sijarto në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve MTI.

Për dallim nga vendet e tjera të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia nuk e kanë përfunduar varësinë e tyre nga Rusia për importet e naftës dhe gazit dhe ende marrin naftë përmes naftësjellësit 'Druzhba".

Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Moskës nuk zbatohen për gazin natyror ose naftën që janë transportuar përmes naftësjellësit.

"Ukraina është e vetëdijshme se naftësjellësi 'Druzhba' është i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Hungarisë", tha Sijarto, duke shtuar se sulmi i fundit ishte aq serioz sa Hungaria pothuajse iu desh të përdorte rezervat e saj strategjike gjatë riparimeve të gjata.

Burime hungareze kumtuan se furnizimet përmes naftësjellësit u rinovuan vetëm sot.

Brovdi u emërua për komandant të forcave të dronëve ukrainase në fillim të qershorit. Oficeri vjen nga pakica hungareze në Ukrainë dhe zgjodhi emrin ushtarak "Magjar" (hungarez).

Ndalesa e hyrjes së Brovdit vlen për të gjithë zonën Shengen pa viza, tha Sijarto.

Si përgjigje, Zelenski e quajti masën "një tjetër përpjekje nga funksionarët hungarezë për ta ngjyrosur të zezën si të bardhë dhe për t'ia hedhur fajin për luftën e vazhdueshme Ukrainës", duke theksuar se kjo vjen pas një sulmi të fortë rus ndaj Kievit të mërkurën në mbrëmje.

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka udhëhequr politika të cilat në masë të madhe kanë qenë miqësore me Kremlinin, duke akuzuar Ukrainën se nuk dëshiron të arrijë paqe. Ai, gjithashtu, akuzon Kievin se po shtyp pakicën hungareze të Ukrainës, e cila numëron disa dhjetëra mijëra persona. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR