• e premte, 05 dhjetor 2025

Zelenski arriti në Berlin për bisedime me aleatët evropianë dhe video-takim me Trampin

Zelenski arriti në Berlin për bisedime me aleatët evropianë dhe video-takim me Trampin

Berlin, 13 gusht 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot arriti në Berlin për të marrë pjesë në bisedimet onlajn me aleatët evropianë dhe presidentin amerikan Donald Traamp, përpara takimit të nivelit të lartë të planifikuar të premten midis SHBA-së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë.

Zelenski u prit nga kancelari gjerman Fridrih Merc i cili organizoi takimet me videokonferencë për të siguruar që Kievi dhe partnerët e tij evropianë të informohen para takimit midis Trampit dhe presidentit rus Vlladimir Putin të premten në Alaska. Zelenski zbriti me helikopter para zyrës së kancelarit ku e priti personalisht Merci.

Pas bisedimeve dypalëshe gjatë drekës, Merc dhe Zelenski planifikojnë të zhvillojnë diskutime onlajn në orën 14 (12:00 GMT) me liderët e Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë dhe Finlandës, si dhe me shefat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, para se të angazhohen në një telefonatë tjetër me Trampin dhe zëvendëspresidentin amerikan Xhej Di Vans.

Qeveritë evropiane, sipas agjencisë së lajmeve DPA, janë të shqetësuar se takimi Tramp-Putin - i pari i këtij lloji që kur Trampi mori funksionin në janar - mund të çojë deri në lëshime territoriale ndaj Rusisë, që Kievi i refuzon kategorikisht. Tramp e përshkroi takimin në Alaskë si përpjekje për t'i dhënë fund luftës e cila po hyn në vitin e katërt duke përfshirë edhe "shkëmbime territoresh" të mundshme.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot më herët deklaroi se Moska nuk tregon vullnet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i bërë thirrje Evropës, SHBA-së dhe aleatëve të Kievit të rrisin presionin ndaj Rusisë para samitit të kësaj jave midis SHBA-së dhe Rusisë. "Kjo luftë duhet të përfundojë. Duhet të bëhet presion ndaj Rusisë për një paqe të drejtë", shkroi Zelenski në Telegram para se të arrinte në Berlin. Ai shtoi se Ukraina, Evropa dhe SHBA-ja duhet të veprojnë së bashku për ta detyruar Moskën të negociojë. rq/

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR