• e hënë, 09 mars 2026

Vetëm dy shtete mund t'i mbijetojnë një lufte bërthamore globale

Vetëm dy shtete mund t'i mbijetojnë një lufte bërthamore globale

Los Anxhelos, 9 mars 2026 (MIA) - Në rast të një lufte bërthamore globale, pra në rezultatin më të keq të mundshëm, vetëm dy vende - Australia dhe Zelanda e Re - do të kishin një shans afatgjatë për mbijetesë. Gazetarja dhe hulumtuesja Eni Jakobsen diskuton pasojat e mundshme të një lufte bërthamore në podkastin e saj, si dhe në librin e saj "Lufta Bërthamore: Një Skenar", në të cilin ajo përshkruan se si mund të duket një konflikt i tillë. Sipas vlerësimeve të saj, një numër i madh njerëzish do të vdisnin në 72 minutat e para pas sulmit të parë bërthamor. 

Paralajmërimi vjen në një kohë tensionesh në rritje në Lindjen e Mesme, me SHBA-në, Izraelin dhe Iranin të përfshirë në një konflikt që mund të përshkallëzohet në luftë bërthamore. 

Një konflikt bërthamor global do të vriste qindra miliona njerëz në vetë shpërthimet fillestare. Njerëzit të cilët mbijetojnë shpërthimet fillestare bërthamore do të përballen me pasoja afatgjata të cilat mund të jenë po aq katastrofike. 

Nga pasojat, ndoshta më e rënda do të ishte i ashtuquajturi "dimër bërthamor". Jakobsen shpjegoi se zona si shteti amerikan i Ajovës ose Ukraina do të mbuloheshin me borë për vite me radhë, duke e bërë të pamundur kultivimin e ushqimit. Përveç kësaj, tymi dhe hiri nga shpërthimet do të mbulonin atmosferën, temperaturat do të binin, shtresa e ozonit do të dëmtohej në planin afatgjatë dhe bujqësia në të gjithë botën do të shembej pothuajse plotësisht brenda një periudhe prej rreth 10 vitesh. Është vlerësuar se në ato pak vite, rreth pesë miliardë njerëz mund të vdisnin nga uria, rrezatimi dhe nga kolapsi i sistemeve shoqërore.

"Kur bujqësia do të shembet, njerëzit thjesht fillojnë të vdesin...Australia dhe Zelanda e Re do të kishin shansin më të mirë për mbijetesë për shkak të izolimit të tyre gjeografik dhe kushteve klimatike.Në këto pjesë të botës, pasojat e një "dimri bërthamor" do të ishin më të buta dhe bujqësia mund të mbijetonte, ndryshe nga shumica e pjesëve të tjera të planetit tonë ku të korrat do të dështonin", paralajmëroi Jakobsen. 

Megjithatë, jeta atje nuk do të ishte e lehtë. Në atë botë post-apokaliptike, njerëzit do të duhej të jetonin në kushte të vështira, me burime të kufizuara dhe një luftë të vazhdueshme për ushqim. Shumica ndoshta do të gjenin strehim dhe do të jetonin nën tokë.

Foto:arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR