• e diel, 22 dhjetor 2024

Venbin: Stërvitjet ushtarake kineze janë paralajmërim serioz për Tajvanin

Venbin: Stërvitjet ushtarake kineze janë paralajmërim serioz për Tajvanin

Pekin, 10 prill 2023 (MIA) - Kina dëshiron t'i shfrytëzojë stërvitjet e veta ushtarake në afërsi të Tajvanit si paralajmërim që të kundërshtohet në përpjekjet për pavarësi të ishullit, kumtoi Qeveria kineze, transmeton sot DPA-ja.

“Ky është një paralajmërim serioz për aktivitetet provokuese të forcave separatiste tajvaneze për pavarësi dhe bashkëpunimin e tyre me fuqitë e huaja”, deklaroi në Pekin zëdhënësi i Ministrisë kineze së Punëve të Jashtme, Vang Venbin.

Ai shtoi se i konsideron stërvitjet ushtarake një "hap të domosdoshëm për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial".

“Forcat e pavarësisë së Tajvanit dhe forcat e huaja që bashkëpunojnë me ta në ngushticën e Tajvanit janë kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin”, tha ai.

Venbin përsëriti se çështja e Tajvanit është "thjesht një çështje e brendshme kineze".

Udhëheqja kineze e konsideron republikën demokratike të ishullit si pjesë të Republikës Popullore, edhe pse ishulli është qeverisur nga një qeveri e pavarur për më shumë se 70 vjet.

Pekini kërcënon se do ta pushtojë Tajvanin. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR