• e premte, 05 dhjetor 2025

UNICEF bën thirrje për hapjen e vendkalimeve kufitare në Gazë për dërgimin e ushqimit, paralajmëron për rritje të mundshme të rasteve të vdekjes tek fëmijët

UNICEF bën thirrje për hapjen e vendkalimeve kufitare në Gazë për dërgimin e ushqimit, paralajmëron për rritje të mundshme të rasteve të vdekjes tek fëmijët

Gjenevë, 10 tetor 2025 (MIA) - Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijë (UNICEF) sot bëri thirrje për hapjen e të gjitha vendkalimeve kufitare për dërgimin e ndihmave ushqimore në Rripin e Gazës, të shkatërruar nga lufta, duke thënë se rastet e vdekjes tek fëmijët mund të rriten për shkak se sistemet e tyre imunitare janë dobësuar rëndë. 

"Situata është kritike. Rrezikojmë të jemi dëshmitarë të një rritje të madhe të vdekshmërisë tek fëmijët, jo vetëm tek të porsalindurit, por edhe tek foshnjat, pasi sistemet e tyre imunitare janë më të kompromentuara se kurrë", deklaroi zëdhënësi i UNICEF-it, Rikardo Pires, në konferencë për shtyp në Gjenevë. 

Sot paraprakisht, trupat izraelite filluan të tërhiqen nga pjesët e territorit palestinez sipas një marrëveshjeje armëpushimi me grupin palestinez Hamas, duke zbatuar fazën e parë të planit të presidentit amerikan, Donald Tramp për t'i dhënë fund luftës më shumë se dyvjeçare. 

"Kombet e Bashkuara planifikojnë të rrisin shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, ku në disa pjesë po përhapet uria masive, gjatë 60 ditëve të para të armëpushimit në enklavë", deklaroi dje një funksionar i lartë i KB-së. 

Mbështetja me ushqim është përparësi kryesore, kumtoi UNICEF, duke marrë parasysh atë se 50.000 fëmijë janë në rrezik të kequshqyerjes akute dhe kanë nevojë për trajtim urgjent. 

Pires tha se imuniteti i fëmijëve është i dobët sepse "ata nuk po hanë siç duhet dhe kohët e fundit nuk kanë ngrënë fare për një kohë shumë të gjatë".

"Fëmijët kanë nevojë për vitamina dhe lëndë ushqyese të nevojshme për t'u zhvilluar dhe për të qenë në gjendje të përballojnë ndryshimet e temperaturës ose epidemitë virusale", shtoi ai. 

Sot paraprakisht, UNICEF evakuoi dy nga 18 të porsalindurit nga një spital në pjesën veriore të Rripit të Gazës për t'u ribashkuar përsëri me prindërit e tyre në jug. Përpjekje për të zhvendosur dy nga foshnjat u anulua dje për shkak të operacionit ushtarak izraelit që po vazhdon në qytet, por fëmijët tani janë me prindërit e tyre. 

"Në fillim të javës, kishim 18 foshnje në inkubatorë. Dy prej tyre u zhvendosën dje", tha Pires, duke shtuar se pjesa tjetër po pret leje nga shërbimet izraelite të sigurisë.

"Shpresoj që ky të jetë vetëm një shembull i asaj që do të pasojë pas zbatimit të plotë të armëpushimit", theksoi ai. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR