Ukrainë: Rusia kreu ofensivë masive ajrore gjatë natës me 270 dronë dhe 10 raketa
- - Armata ruse mbrëmë kreu një nga ofensivat më të mëdha ajrore këtë muaj, duke përdorur 270 dronë dhe 10 raketa, kumtuan forcat ajrore ukrainase.
- Post By Ramize Qamili
- 11:52, 19 gusht, 2025
Kiev, 19 gusht 2025 (MIA) - Armata ruse mbrëmë kreu një nga ofensivat më të mëdha ajrore këtë muaj, duke përdorur 270 dronë dhe 10 raketa, kumtuan forcat ajrore ukrainase.
Nga këto u rrëzuan 230 dronë dhe gjashtë raketa. Megjithatë, sulme u regjistruan në 16 vende me katër raketa dhe rreth 40 dronë.
Autoritetet lokale kumtuan se qyteti i Kremençukut në qendër të Ukrainës u godit rëndë, duke lënë qindra shfrytëzues në rajonin e Poltavas pa energji elektrike.
"Pikërisht në momentin kur Putini po i thoshte Trampit në telefon se donte paqe, armata e tij nisi një sulm të ri masiv ndaj Kremençukut", deklaroi kryetari i komunës Vitalij Malecki. "Bota përsëri e pa se Putini nuk dëshiron paqe - ai dëshiron shkatërrimin e Ukrainës", shtoi kryetari i komunës.
Guvernatori i rajonit të Poltavas, Volodimir Kogut, konfirmoi se është goditur ndërtesa administrative e një objekti lokal të energjisë dhe rreth 1.500 amvisëri dhe 119 biznese mbetën pa energji elektrike. "Për fat të mirë, nuk ka viktima", shtoi ai.
Rusia, megjithatë, kumtoi se dronët ukrainas shkaktuan zjarre në një rafineri nafte dhe në çatinë e një spitali në rajonin e Volgogradit.
Që nga fillimi i luftës, Kievi dhe Moska kanë sulmuar rregullisht infrastrukturën kyçe të palës tjetër. rq/
Foto: arkivi i MIA-s