Turqia konvokon takim urgjent të Organizatës për Bashkëpunim Islamik për shkak të planit të Izraelit për okupim të Gazës
- Ministri i Punëve të Jashtme të Turiqsë, Hakan Fidan ka deklaruar sot gjatë një vizite në Egjipt se vendi i tij po thërret një takim urgjent të Organizatës për Bashkëpunim Islamik për shkak të planeve të Izraelit për pushtim të plotë të Gazës, raportoi "Turkije Tudej".
- Post By Melahat Baftija
- 16:16, 9 gusht, 2025
Ankara, 9 gusht 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Turiqsë, Hakan Fidan ka deklaruar sot gjatë një vizite në Egjipt se vendi i tij po thërret një takim urgjent të Organizatës për Bashkëpunim Islamik për shkak të planeve të Izraelit për pushtim të plotë të Gazës, raportoi "Turkije Tudej".
Në takim me homologun e tij egjiptian Badr Abdelati në El Alamein, Fidan tha se si kryetar i Këshillit të ministrave të punëve të jashtme të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ata vendosën të konvokojnë një takim.
Ministri turk i Punëve të Jashtme i kritikoi ashpër qëllimet e Izraelit dhe tha se "ky plan është një fazë e re në politikën ekspansioniste dhe gjenocidale të Izraelit".
Nga ana e tij, Abdelati konfirmoi se "katastrofa humanitare në Gaza" ishte tema kryesore e bisedës së tij me Fidanin dhe shtoi se Egjipti dhe Turqia janë të bashkuar në dënimin e pushtimit dhe zgjerimit të kontrollit izraelit në Gaza.
Të dy ministrat njoftuan se do të fillojnë koordinimin e përpjekjeve me vendet arabe për të mbajtur një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit mbi zhvillimet në Rripin e Gazës.
Fidan tha se Turqia deri më tani kishte dërguar 102 ton ndihma humanitare për palestinezët në Gaza, duke falënderuar Egjiptin për bashkëpunimin e tij në kryerjen e dërgesave humanitare. Të dy vendet riafirmuan mbështetjen e tyre për krijimin e një shteti të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967. mb/
Foto: MIA