Turqia do të jetë pjesë e grupit punues për ndjekjen dhe zbatimin e planit për armëpushim në Gazë
- Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, sot deklaroi se Turqia do të jetë pjesë e grupit punues për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë midis Izraelit dhe lëvizjes islamiste palestineze Hamas.
- Post By Ramize Qamili
- 23:33, 9 tetor, 2025
Ankara, 9 tetor 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, sot deklaroi se Turqia do të jetë pjesë e grupit punues për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë midis Izraelit dhe lëvizjes islamiste palestineze Hamas.
"Do të donim që Turqia të merrte pjesë në grupin punues për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes në terren", tha Erdogani në Ankara në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejtë në mediat sociale.
Vendi është ndër ndërmjetësuesit kryesorë midis grupit të armatosur Hamas dhe Izraelit për arritjen e një armëpushimi në Gazë. Delegacioni turk, që përfshin edhe drejtorin e inteligjencës turke MIT, Ibrahim Kalin, ndodhet në vendpushimin egjiptian Sharm el Sheik dhe merr pjesë në negociatat me Izraelin për një armëpushim në Gazë.
Erdogan, gjithashtu, tha se Turqia është e gatshme të marrë pjesë ndërkombëtarisht në përpjekjet për rinovimin e infrastrukturës në Gazë. Presidenti turk, gjithashtu, theksoi se dërgimi urgjent i ndihmës humanitare në Gaza është thelbësor, së bashku me shkëmbimin e të burgosurve dhe pengjeve dhe një armëpushim. rq/
Foto: arkivi i MIA-s