Trampi akuzoi presidentin kinez se me Putinin dhe Kim Xhong-un bëjnë komplot kundër SHBA-së
- Presidenti amerikan, Donald Tramp akuzoi homologun e tij kinez Si Xhinping për komplot kundër SHBA-së së bashku me liderin rus, Vlladimir Putin dhe liderin koreanoverior, Kim Xhong Un.
- Post By Ramize Qamili
- 08:41, 3 shtator, 2025
Uashington, 3 shtator 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp akuzoi homologun e tij kinez Si Xhinping për komplot kundër SHBA-së së bashku me liderin rus, Vlladimir Putin dhe liderin koreanoverior, Kim Xhong Un.
Deklarata e sotshme e Trampit vijon pasi që Kina ishte nikoqir në parakalimin më të madh deri tani me rastin e Ditës së fitores, në të cilën morën pjesë 28 shefa të shteteve, duke përfshirë Putinin dhe Kimin.
"Përcjellni përshëndetjet e mia më të ngrohta te Vlladimir Putini dhe Kim Xhong-un, derisa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës", shkroi Trampi në rrjetin e tij në "Truth Social".

Ai përkujtoi edhe në mbështetjen e jashtëzakonshme dhe "gjakun" që SHBA-ja i dha Kinës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Shumë amerikanë humbën jetën në kërkim të Kinës për Fitore dhe Lavdi". Shpresoj se ata do të nderohen dhe do të kujtohen denjësisht", theksoi Trampi.
Deklarata e Trampit vjen në momentin kur Si Xhinping, para 26 liderëve botërorë, duke përfshirë Putinin dhe Kimin, foli për një Kinë "të pandalshme" e cila "asnjëherë nuk do ta lejojë veten të frikësohet nga dhunuesit".
Në parakalim është shfaqur gjenerata e re e armëve, duke përfshirë raketa bërthamore, sisteme lazeri dhe dronë detarë.

Kina po tenton të pozicionohet si kundërpeshë e mundshme e SHBA-së, pasi që doganat e Trampit tronditën rendin ekonomik dhe politik global.
Edhe pse disa vëzhgues e interpretuan praninë e Putinit dhe Kimit si mesazh për Perëndimin, i cili i izoloi, Trampi deklaroi se nuk e shihte parakalimin si sfidë për SHBA-në.
I pyetur nga Bi-Bi-Si nëse beson se Pekini dhe aleatët e tij po përpiqeshin të formonin koalicion ndërkombëtar për t'iu kundërvënë SHBA-së, Trampi tha: "Jo. Në përgjithësi jo. Kinës i duhemi".
Trampi theksoi se ka "marrëdhënie shumë të mira" me presidentin Si dhe shtoi se është i bindur në supremacinë ushtarake amerikane. Amerika ka forcat më të fuqishme ushtarake në botë dhe ata nuk do të guxonin kurrë t'i përdorin kundër nesh. Kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të bënin", theksoi ai në radio intervistë.
Në të njëjtën intervistë, Tramp tha se ishte "shumë i dëshpëruar" nga Putini, sepse nuk arritën një marrëveshje paqesore për Ukrainën gjatë takimit të tyre në Alaskë muajin e kaluar.
"Do të ndërmarrim diçka për të ndihmuar njerëzit të jetojnë në Ukrainë", paralajmëroi ai, pa hollësira.
Kina, edhe pse nuk e dënon pushtimin rus, është akuzuar nga Perëndimi se po ndihmon Moskën përmes furnizimeve të naftës dhe dërgimit të materialeve me përdorim të dyfishtë. Pekini i mohon këto akuza.
Japonia nuk pranoi të komentojë paradën, duke thënë se me Kinën po ndërton "marrëdhënie konstruktive". rq/bsh/
Foto: EPA