Tramp: Së shpejti do të ketë paqe mes Izraelit dhe Iranit
- Irani dhe Izraeli së shpejti do të arrijnë marrëveshje paqeje, njoftoi presidenti amerikan Donald Tramp në rrjetin e tij social Truth Social.

Uashington, 15 qershor 2025 (MIA) - Irani dhe Izraeli së shpejti do të arrijnë marrëveshje paqeje, njoftoi presidenti amerikan Donald Tramp në rrjetin e tij social Truth Social.
"Irani dhe Izraeli duhet të arrijnë një marrëveshje - dhe ata do ta bëjnë. Njejtë siç arrita që India dhe Pakistani të bëjnë marrëveshje", shkroi Tramp.
Ai shtoi se aktualisht po zhvillohen shumë biseda dhe takime.
"Së shpejti do të kemi PAQE midis Izraelit dhe Iranit! Punoj shumë dhe kurrë nuk i marr meritat, por kjo është në rregull, njerëzit e kuptojnë. LE TA BËJMË PËRSËRI LINDJEN E MESME TË MADHE! ", thekson Tramp.
Njoftimi i presidentit amerikan vjen pas përshkallëzimit të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit, i cili ka vazhduar për të tretën ditë me radhë.
Izraeli të premten kreu një sulm të madh ajror ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake iraniane, duke vrarë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë iranianë. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi një seri raketash balistike drejt Izraelit.
Konflikti ka ngjallur shqetësim ndërkombëtar mbi mundësinë e një lufte më të gjerë rajonale.
Pas nisjes së sulmit izraelit ndaj Iranit, Tramp deklaroi se administrata e tij ishte në dijeni të planeve të Izraelit dhe u përpoq ta inkurajonte Teheranin të kërkonte një zgjidhje diplomatike përpara se të përshkallëzonte konfliktin. mb/
Foto: EPA