• e premte, 05 dhjetor 2025

Thatësirë në Stamboll: Në korrik vetëm një ditë me shi, digat nën 50 për qind nga kapacitetet

Thatësirë në Stamboll: Në korrik vetëm një ditë me shi, digat nën 50 për qind nga kapacitetet

Stamboll, 12 gusht 2025 (MIA) - Në korrik, në Stamboll është regjistruar vetëm një ditë me shi – që është për 71 për qind më pak reshje shiu krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa për shkak të thatësirës, niveli i digave që furnizojnë qytetin me ujë ra nën 50 për qind, njoftoi TRT Haber.

Sipas një raporti nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike të Turqisë, rajoni rreth Detit Marmara, ku ndodhet Stambolli, në korrik ishte muaji më i thatë në 65 vjet, me reshje që ranë 95 për qind nën mesataren. Edhe pse reshjet e shiut kanë rënë me 40 deri në 80 për qind në pjesën më të madhe të vendit, në qarqet Karaman dhe Mersin në Turqinë qendrore dhe Tunxheli në pjesën lindore kanë shënuar rritje prej mbi 100 për qind.

Në rajonin e Marmarasë, niveli i ujit në pothuajse të gjitha digat që furnizojnë me ujë Stambollin është nën 50 për qind, përveç digave Elmali (66,1 për qind), Darlik (59,65 për qind) dhe Terkosh (53,01 për qind). Niveli mesatar i ujit në digat rreth qytetit është 48,3 për qind, ndërsa vlera më të ulëta ka në Istranxhalar (28,05 për qind) dhe Alibej (31,53 për qind). rq/bsh/

Foto: arkivi i EPA-s

QËNDRONI TË LIDHUR