Teheran: "Në këtë fazë" nuk planifikojmë bisedime bërthamore me vendet evropiane
- - Irani nuk planifikon "në këtë fazë" të vazhdojë negociatat me vendet evropiane për programin e tij bërthamor, edhe krahas vazhdimit të sanksioneve, kumtoi diplomacia iraniane.
- Post By Ramize Qamili
- 15:32, 6 tetor, 2025
Teheran, 6 tetor 2025 (MIA) - Irani nuk planifikon "në këtë fazë" të vazhdojë negociatat me vendet evropiane për programin e tij bërthamor, edhe krahas vazhdimit të sanksioneve, kumtoi diplomacia iraniane.
Me nismën e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, më 28 shtator, KB-ja ktheu sanksionet kundër Iranit për shkak të programit të tij bërthamor.
"Në këtë fazë, nuk planifikojmë negociata", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Esmail Bagai, në konferencë për shtyp, duke shtuar se Irani po studion "pasojat" nga vazhdimi i sanksioneve që u hoqën dhjetë vite më parë.
"Gjithsesi, diplomacia, në kuptimin e mbajtjes së kontakteve dhe konsultimeve, do të vazhdojë", theksoi ai. "Sa herë që vlerësojmë se diplomacia mund të jetë efektive, sigurisht që do të marrim vendime në përputhje me interesat dhe prioritetet e vendit".
Programi bërthamor i Iranit ka kohë që ka tensionuar marrëdhëniet me fuqitë perëndimore, duke përfshirë dhe SHBA-në, të cilat, së bashku me Izraelin, dyshojnë se Teherani po përpiqet të zhvillojë bombë bërthamore. Irani mohon çdo ambicie të tillë ushtarake, por këmbëngul në të drejtën e tij për të përdorur energjinë bërthamore për qëllime civile, veçanërisht për të prodhuar energji elektrike.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Irani është i vetmi vend pa armë bërthamore, por po pasuron uraniumin në 60 për qind, afër pragut teknik prej 90 për qind të nevojshëm për të prodhuar bombë bërthamore. rq/
Foto: arkivi i MIA-s