• e premte, 22 nëntor 2024

Sulm mi ri amerikan ndaj huthëve në Jemen

Sulm mi ri amerikan ndaj huthëve në Jemen

Uashington, 16 janar 2024 (MIA) - Ushtria amerikane ka nisur sot një sulm të ri ndaj huthëve në Jemen, qëllimi i të cilit kanë qenë raketat balistike kundër anijeve, deklaruan dy zyrtarë anonim amerikanë.

Ky është veprimi i fundit ushtarak kundër huthëve të mbështetur nga Irani në përgjigje të sulmeve të tyre me raketa ndaj anijeve në Detin e Kuq. Sulmet e huthëve ndaj anijeve në Detin e Kuq kanë vazhduar edhe pasi presidenti Xho Bajden urdhëroi javën e kaluar sulme kundër huthëve për të zvogëluar aftësitë e tyre ushtarake.

Këshilltari i Sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Xhejk Salivan deklaroi në Forumin ekonomik botëror në Davos se SHBA-ja është e përkushtuar për të de-përshkallëzuar situatën në Detin e Kuq.

"Ne nuk po kërkojmë një konflikt rajonal, larg tij. Ne po përpiqemi të ndalojmë përhapjen e konfliktit dhe të krijojmë kushte për de-eskalim. Kjo është një sfidë globale, sepse arteria jetike e tregtisë ndërkombëtare po mbahet peng. Kjo është një krizë të cilës e gjithë bota duhet t'i përgjigjet", theksoi Salivan.

Sipas tij, vazhdimi i konfliktit nuk varet "vetëm nga vendimet e vendeve të koalicionit", por nga "një grup më i madh vendesh, përfshirë ato me ndikim në Teheran dhe kryeqytete të tjera të Lindjes së Afërt".

Huthët, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të bregut të Detit të Kuq të Jemenit, pohojnë se sulmet e tyre ndaj anijeve kanë për qëllim mbështetjen e palestinezëve në luftën në Gaza.

Huthët njoftuan gjithashtu se anijet amerikane dhe britanike do të jenë objektiva në Detin e Kuq dhe se ata do të vazhdojnë sulmet e tyre pasi forcat amerikane dhe britanike nisën dhjetëra sulme ndaj radarëve dhe sistemeve raketore të huthëve javën e kaluar. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR