• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sofja pret sa më parë të zbardhet incidenti me klubin bullgar në Ohër

Sofja pret sa më parë të zbardhet incidenti me klubin bullgar në Ohër
Sofje, 24 nëntor 2022 (MIA) – Ministria bullgare e Punëve të Jashtme në mënyrë kategorike e dënoi, siç thuhet, veprën penale serioze në të cilën ishte përdorur armë zjarri mbi Klubin bullgar "Borisi i Tretë" dje në Ohër, Republika e Maqedonisë së Veriut. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, sipas publikimit të Ministrisë, konsulli i përgjithshëm bullgar në Manastir, Dimitar Ivanov ka qenë për vizitë në Ohër dhe vendosi kontakt me anëtarët e shoqatës dhe institucionet kompetente në qytet të involvuar në rastin. Kjo vepër penale është sulmi i tretë mbi klubin Mbreti Borisi i Tretë për më pak se dy muaj. Sulmi paraprak u krye vetëm para dy ditësh, për çka Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi notë verbale ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Sofje. Ministria bullgare e Punëve të Jashtme e ka parë reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, por potencohet, në mënyrë kategorike nuk pranojmë veprat e tilla të rënda penale të definohen si akt vandal. Autoritetet në Sofje, siç transmeton korrespondenti i MIA-s, presin që organet kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut sa më parë të ndërmarrin masa për t'i zbuluar dhe për t'i nxjerrë para drejtësisë autorët e krimit mbi klubin Mbreti Borisi i Tretë. Me këtë rast, sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, në takim do të thirret ambasadorja e Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi-Popovska, të cilës do t'i dorëzohet notë proteste. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e dënoi ashpër dëmtimin e dritares së Klubit bullgar “Borisi i Tretë” në Ohër që ndodhi dje, duke e cilësuar si akt vandal. Ngjarjet e këtilla janë plotësisht të papranueshme dhe janë në dobi të atyre të cilët janë kundër avancimit të marrëdhënieve të mira fqinje ndërmjet dy vendeve dhe qëllimi i të cilëve është që të minohet integrimi evropian i vendit”, thuhet në reagimin e MPJ-së. nk/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR