Shtëpia e Bardhë: Tramp dhe Vens nuk janë ftuar në varrimin e Dik Çejnit në Uashington
- Presidenti i SHBA-së Donald Tramp dhe zëvendëspresidenti Xhej Di Vens nuk u ftuan në shërbimin mortor në Uashington sot për ish nënpresidentin Dik Çejni, kumtoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
- Post By Ramize Qamili
- 19:02, 20 nëntor, 2025
Uashington, 20 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp dhe zëvendëspresidenti Xhej Di Vens nuk u ftuan në shërbimin mortor në Uashington sot për ish nënpresidentin Dik Çejni, kumtoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ish liderë amerikanë, deputetë dhe personalitete të tjera u mblodhën në Katedralen kombëtare në kryeqytetin e SHBA-së për t'i dhënë nderime ish nënpresidentit me ndikim dhe kontrovers, i cili ishte një kundërshtar i zëshëm i Trampit.
Midis të ftuarve janë dhe ish presidentët Xho Bajden dhe Xhorxh V. Bush, si dhe ish zëvendëspresidentët Kamalla Harris dhe Majk Pens, të cilët ishin në funksion në mandatin e parë të Trampit.
Trampi ende nuk i ka shprehur ngushëllime familjes së Çejnit. Shtëpia e Bardhë së fundmi kumtoi se ishte "në dijeni" për vdekjen e Çejnit. Flamujt në Shtëpinë e Bardhë u ulën në gjysmë shtizë.
"Ngushëllimet e mia shkojnë për Dik Çejnin dhe familjen e tij", tha Vens sot në një ngjarje. "Padyshim ekzistojnë disa dallime politike atje", shtoi ai. rq/
Foto: EPA