• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Shqipëria ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Greqia dhe Rumania ku ka paraqitje të murtajës

Shqipëria ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Greqia dhe Rumania ku ka paraqitje të murtajës

Tiranë, 10 gusht 2024 (MIA) - Shqipëria referuar rasteve të konfirmuara të murtajës së deleve dhe dhive në Greqi dhe Rumani, ka vendosur ndalimin e importit të kafshëve dhe ngritjen e postblloqeve me Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Veterinar në akset nacionale.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Roland Meçaj, u shpreh se masat e marra synojnë të ndalojnë përhapjen e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël, një sëmundje kjo që sjell dëme të konsiderueshme për ekonominë blegtorale.

Sëmundja përhapet me shpejtësi në tufat blegtorale, por nuk ka asnjë rrezik për jetën e njerëzve.

“Deri tani nuk kemi asnjë rast të murtajës të rimuntëve të vegjël, por masat e marra janë mjaft rezultative së paku deri më tani sepse ne kemi bërë të mundur me urdhër të ministrit ndalimin e importit nga vendet si Rumania dhe Greqia të cilat e kanë të shfaqur tashmë këtë sëmundje. Gjithashtu AKVMB-së ka rritur masën e sensibilizmit të strukturave si dhe të popullsisë dhe të gjithë blegtorëve që merren me mbarështimin e kafshëve“, deklaroi ai për Top çenëll.

Sipas Meçaj, asnjë dhi apo dele nga Greqia nuk do të hyjë në Shqipëri deri në daljen e një urdhri të dytë.

“Ky ndalim po bëhet për të parandaluar përhapjen e murtajës së bagëtive e cila është aq agresive sa mund të zhdukë të gjithë tufën, për t’i paraprirë situatës nëse një blegtor dyshon se bagëtia e tij e imët është prekur nga kjo sëmundje duhet të telefonojë menjëherë shërbimin veterinar”, shtoi ai.

Meçaj tha se ndërkohë janë ushtruar masat në pikat doganore.”Gjithashtu ne jemi të përgatitur për të bërë testime dhe analiza pranë ISUV për të bërë diagnostikimin dhe marrjen e masave të menjëhershme nëse do të kemi shfaqje të murtajës të të imtave”, tha Meçaj.

Sipas udhëzimit të ministrit, kafshët që rezultojnë të prekura nga murtaja duhet të asgjësohen menjëherë dhe mishi i tyre nuk duhet të konsumohet për të parandaluar përhapjen e murtajës tek tufat e reja. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR