Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur Seulin, humb jetën një person
- Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur kryeqytetin e Koresë jugore sot për të dytën ditë me radhë ku kanë marrë jetën e një personi, janë përmbytur ose dëmtuar qindra rrugë dhe shtëpi, ndërsa më shumë se 1.000 persona janë të detyruar të evakuohen.
- Post By Ramize Qamili
- 11:08, 14 gusht, 2025
Seul, 14 gusht 2025 (MIA) - Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur kryeqytetin e Koresë jugore sot për të dytën ditë me radhë ku kanë marrë jetën e një personi, janë përmbytur ose dëmtuar qindra rrugë dhe shtëpi, ndërsa më shumë se 1.000 persona janë të detyruar të evakuohen.
Mëngjesin e sotëm në disa pjesë të Seulit dhe qytetet përreth Pauxhu, Inçeon dhe Gimpo ka rënë rreth 250-300 milimetra shi, duke lënë automjetet të bllokuara në rrugët që u shndërruan në lumenj dhe banorët duke shpëtuar sendet nga pronat e dëmtuara nga përmbytjet e menjëhershme.
Autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje toke në zonat në afërsi të lumenjve, përrenjve dhe kodrave, ndërsa shërbimet e emergjencës shpëtuan të paktën 145 persona dhe iu përgjigjën qindra raportimeve për rrugë të dëmtuara. Furnizimi me energji elektrike u rikthye në rreth 4.000 amvisëri të cilët mbetën pa energji gjatë natës deri në mëngjesin e sotëm, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Sigurisë.
Agjencia meteorologjike e Koresë së Jugut kumtoi se reshjet e rrëmbyeshme do të vazhdojnë të godasin rajonin e Seulit deri në mëngjesin e sotëm. Autoritetet mbyllën dhjetëra parqe përreth lumit dhe më shumë se 100 shtigje për ecje, ndërsa gjithashtu dërguan dhe SMS-mesazhe me të cilat i paralajmëruan njerëzit të kenë kujdes nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe ndërtesat e dëmtuara. Reshjet nuk i anuluan fluturimet. rq/
Foto: arkivi i EPA-s