Rute u bëri thirrje vendeve të NATO-s të blejnë më shumë armë amerikane për Ukrainën
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, u ka bërë thirrje ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës të blejnë më shumë armë nga SHBA-ja në mënyrë që të mbështesin Ukrainën.
- Post By Ramize Qamili
- 12:25, 22 korrik, 2025
Bruksel, 22 korrik 2025 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, u ka bërë thirrje ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës të blejnë më shumë armë nga SHBA-ja në mënyrë që të mbështesin Ukrainën.
Në takimin e Grupit të Kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, Rute ktheu vëmendjen te iniciativa, të cilën javën e kaluar e paralajmëroi së bashku me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp. Kjo iniciativë përfshin përforcimin e mbështetjes për Ukrainën, duke ofruar kapacitete të reja ushtarake amerikane, të financuara nga investimet e aleatëve në Kanadë dhe Evropë", kumtoi shërbimi qeveritar i NATO-s.
"Me blerjen e më shumë armëve amerikane për Ukrainën, vendet e NATO-s do të jenë në gjendje të zbatojnë njëkohësisht tre detyra kryesore të identifikuara në samitin e Aleancës në Hagë më 24-25 qershor: rritjen e shpenzimeve ushtarake, zgjerimin e prodhimit ushtarak dhe mbështetjen e Ukrainës", theksoi Rute.
Sipas tij, qëllimi i ndihmës së sigurisë nga aleatët për Ukrainën është që konflikti sa më shpejtë të marrë fund të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Tramp gjatë takimit me Ruten në Uashington javën e kaluar deklaroi se SHBA-ja nuk do t’i dërgojë më armë Ukrainës falas dhe se armët tani do të financoheshin nga vendet evropiane dhe Kanadaja. Takimi i Grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, i 29-ti me radhë, u mbajt dje me pjesëmarrjen e ministrave të mbrojtjes dhe përfaqësuesve nga mbi 50 vende.
Nikoqir i takimit ishte ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ministri britanik i Mbrojtjes, Xhon Hili. Në takim mori pjesë edhe ministri i sapoemëruar ukrainas i Mbrojtjes, Denis Shmihal. Takimi i mëparshëm në formatin "Ramshtajn" u mbajt në fillim të qershorit. rq/bsh/