Rute: Paqe do të sigurojmë përmes forcës
- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot në Pragë deklaroi se aleatët perëndimorë duhet të armatosen shpejt për të penguar ambiciet hegjemonike të Rusisë, të cilat edhe pas luftës në Ukrainë do të mbeten kërcënim dhe se paqeja duhet të arrihet përmes forcës.
- Post By Ramize Qamili
- 13:35, 4 shtator, 2025
Pragë, 4 shtator 2025 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot në Pragë deklaroi se aleatët perëndimorë duhet të armatosen shpejt për të penguar ambiciet hegjemonike të Rusisë, të cilat edhe pas luftës në Ukrainë do të mbeten kërcënim dhe se paqeja duhet të arrihet përmes forcës.
"Është e qartë se kapacitetet tona aktuale nuk janë të mjaftueshme. Po përballemi me kërcënime serioze. Rusia dhe Kina po prodhojnë armë me një ritëm të paparë. Kjo nuk është një demonstrim paradash, por fuqi reale. Rusia sot ndan 40 për qind të buxhetit të saj për armatime. Vetëm këtë vit, mijëra tanke dhe qindra raketa Iskander. Detyra jonë është ta bëjmë Evropën gati", deklaroi Rute në samitin për mbrojtje në Pragë.
Njeriu i parë i NATO-s tha se aleatët perëndimorë kanë përgatitur plane, mes tjerash, për të rritur pesëfish kapacitetet për mbrojtje kundërraketore, si dhe në prodhimin e municioneve artilerike.
"Lajmi i mirë është se tashmë kemi mjete të konsiderueshme, ndërsa po arrijnë edhe të reja. Mbrojtja e Evropës po forcohet. Së shpejti do të arrijmë një prodhim prej dy milionë granata artilerike në vit dhe do të fillojmë të zvogëlojmë avantazhin e madh të Rusisë", tha Rute.
Sekretari i përgjithshëm si shembull përmendi Ukrainën, pasi në një kohë të shkurtër arriti të prodhonte 4,5 milionë dronë në vit dhe vendet anëtare të NATO-s duhet të krijojnë bashkëpunim intensiv me të në atë fushë.
"NATO ka plan të qartë dhe ambicioz. Çdo partner di si të kontribuojë. Qëllimi ynë nuk është të provokojmë, por të mbrohemi. Rritja e shpenzimeve për mbrojtje është përgjigje ndaj agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Sfidat nuk do të zhduken. Përarësia jonë më e madhe mbetet uniteti. Evropa dhe SHBA-ja së bashku", theksoi Rute. rq/bsh/
Foto: DPA