• e hënë, 23 dhjetor 2024

Rreth 754 milionë të rritur nëpër botë janë analfabetë, dy të tretat janë gra

Rreth 754 milionë të rritur nëpër botë janë analfabetë, dy të tretat janë gra

Nju-Jork, 7 shtator 2024 (MIA) - Rreth 754 milionë të rritur në mbarë botën, dy të tretat e të cilëve janë gra, janë analfabetë, ndërsa 250 milionë fëmijë nuk mund t'i fitojnë aftësitë bazë të shkrim-leximit, transmeton Anadollu.

Me vendim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë (UNESkO), 8 Shtatori shënohet çdo vit si "Dita Ndërkombëtare e Alfabetizmit" që nga viti 1967.

UNESKO thekson se shkrim-leximi është një çështje themelore e të drejtave të njeriut dhe e thekson rëndësinë e shkrim-leximit në promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, harmonisë sociale dhe paqes.

Sipas UNESKO-s, arsimimi bazë është porta e gëzimit të të drejtave të tjera.

Falë shkrim-leximit, njerëzit fitojnë më shumë njohuri, aftësi, vlera, qëndrime dhe sjellje dhe bëhen pjesë e shoqërisë.

Përveç kësaj, shkrim-leximi ul varfërinë dhe ndikon pozitivisht në zhvillimin e një vendi duke rritur fuqinë punëtore dhe pjesëmarrjen në treg.

Sipas të dhënave të UNESKO-s, derisa në vitin 1979 shkalla e shkrim-leximit në botë ishte 68 për qind, sot llogaritet se mbi 86 për qind e popullsisë së botës di shkrim-lexim.

Megjithë progresin e qëndrueshëm në arsimim në mbarë botën gjatë 50 viteve të fundit, nivelet e shkrim-leximit kanë qenë në rënie për shkak të kufizimeve në aksesin në arsim gjatë pandemisë Kovid-19.

Sipas të dhënave të vitit 2022, të paktën një në shtatë të rritur mbi moshën 15 vjeç nuk kanë aftësitë bazë të arsimimit.

Sot, 250 milionë fëmijë dhe të rinj ende nuk shkojnë në shkollë, ndërsa 754 milionë të rritur nuk kanë aftësitë bazë të arsimimit.

Përveç kësaj, miliona fëmijë luftojnë për të arritur nivelet bazë të aftësisë në lexim, shkrim dhe matematikë.

Pothuajse dy të tretat e 754 milionë të rriturve analfabetë në botë janë gra.

Shkalla e arsimimit te meshkujt e moshës 15 vjeç e lart është 90 për qind, ndërsa te femrat është 82,7 për qind.

Kjo pabarazi është më e theksuar në vendet e pazhvilluara, ku shpesh pritet që gratë të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për familjen, ndërsa burrat punojnë.

Në vendet e zhvilluara, hendeku gjinor është dukshëm më i vogël.

Vendet e zhvilluara kanë një shkallë të arsimimit prej 96 për qind ose më shumë, ndërsa shkalla mesatare e arsimimit në vendet e pazhvilluara mbetet në 65 për qind.

Vendet me arsimim më të ulët gjenden në Azinë Jugore, Azinë Perëndimore dhe Afrikën Sub-Sahariane, të cilat janë gjithashtu ndër vendet më të varfra në botë.

Edhe kur ka akses në arsim në këto vende, familjet me vështirësi ekonomike mund të detyrohen t'i dërgojnë fëmijët e tyre në punë në vend të shkollës.

Finlanda, Grenlanda, Luksemburgu dhe Norvegjia janë ndër vendet me 100 për qind arsimim.

Në përputhje me "Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm" të OKB-së, synimi është që e gjithë bota të jetë e arsimuar deri në vitin 2030.

Në një botë të digjitalizuar, përkufizimi i "alfabetizmit" po ndryshon.

Aesimimi digjital përkufizohet si aftësia për të gjetur, kuptuar, analizuar, prodhuar dhe ndarë informacione përmes pajisjeve të tilla si telefonat inteligjentë, tabletët, laptopët dhe kompjuterët.

UNICEF-i thekson se duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje edukimit digjital të fëmijëve.

Bota digjitale hap mundësi arsimimi, veçanërisht për fëmijët e prekur nga lufta, konflikti ose fatkeqësia, si dhe për ata që nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të varfërisë ose paaftësisë.

UNESKO ka për qëllim ta rrisë numrin e të rinjve dhe të rriturve me aftësi të arsimimit digjital deri në vitin 2030. mb/

Foto: piksabej

QËNDRONI TË LIDHUR