• e diel, 22 dhjetor 2024

Ron DeSantis u tërhoq nga gara pesidenciale në SHBA dhe e mbështet Trampin

Ron DeSantis u tërhoq nga gara pesidenciale në SHBA dhe e mbështet Trampin

Uashington, 22 janar 2024 (MIA) - Kandidati republikan për president Ron DeSantis, i cili dikur konsiderohej si personi me shanset më të mira për të mundur ish-presidentin Donald Tramp, dje ka bërë të ditur se tërhiqet nga gara presidenciale, një tërheqje relativisht e hershme që nxjerr në pah pozitën e fuqishme të ish-presidentit brenda partisë.

DeSantis e bëri njoftimin në një video në platformën X, gjatë së cilës tha gjitashtu se do të mbështesë Trampin. Ai e bëri njoftimin dy ditë para zgjedhjeve paraprake në Nju Hamshër, ku sipas sondazheve ai kishte një përqindje të vogël mbështetjeje.

Republikani 45 vjeçar ishte parë gjerësisht si një pretendent kryesor për emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2024 dhe pasues i natyrshëm i Trampit, falë stilit të tij luftarak dhe pikëpamjeve thellësisht konservatore.

Në fillim të vitit 2023, ai kryesoi në disa sondazhe ndaj ish-presidentit Tramp. Por mbështetja ndaj guvernatorit të Floridës ka rënë prej disa muajsh, për shkak të një strategjie të gabuar gjatë fushatës, pamundësisë për të krijuar një lidhje me votuesit dhe mbështetjes së palëkundur të bazës republikane ndaj Tramp.

Ndërprerja e fushatës nga ana e DeSantis, do të thotë që ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB, Niki Hejli, është tani republikania e fundit në garë që ka një shans megjithëse jo shumë realist për t'i mohuar ish-presidentit Tramp emërimin republikan.

Fituesi i garës për emërimin republikan do të përballet me presidentin Xho Bajden, kandidatin e mundshëm demokrat, në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Më shumë se 70 për qind e republikanëve mbështesin Tramp, sipas pjesës më të madhe të sondazheve.

DeSantis nuk arriti kurrë të bindte shumicën e përkrahësve të Tramp pse ai ishte një alternativë më e mirë, ndërsa republikanët që nuk mbështesin ish-presidentin i ndanë votat mes kandidatëve të tjerë të shumtë.

Hejli, në veçanti, është shfaqur si kandidatja e preferuar mes republikanëve të moderuar. mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR