• e martë, 24 dhjetor 2024

Rama: Ndihem i zhgënjyer nga BE-ja, ajo ka nevojë për Ballkanin, njësoj si ne për të

Rama: Ndihem i zhgënjyer nga BE-ja, ajo ka nevojë për Ballkanin, njësoj si ne për të
Tiranë, 26 qershor 2022 (MIA)- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duket se nuk e ka larguar ende revoltin lidhur me Samitin e BE-së, pasi ankesat e njëjta i ka përsëritur edhe gjatë vizitës në Austri. Ai u shpreh se Ballkani ka nevojë për BE-në, aq sa ka nevojë BE-ja për të dhe shtoi se ndihet i keqardhur për Bashkimin Evropian, pasi  në një situatë kaq të nxehtë në Evropë, mes të një lufte, Bullgaria merr “peng” dy vende të NATO-s. “Ky është vendi i përsosur për të diskutuar, disa prej shkallëve shkojnë lart e disa zbresin poshtë, ne jemi në mes. Disa njerëz e kuptojnë mirë, disa të tjerë kanë nevojë për shtysë që ta kuptojnë, sot BE-ja ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për ne. Nga ana tjetër duhet të them se nuk është ide e mirë që të ftosh dikë nga Ballkani dhe ta lësh të ulet sepse mund të kërkojë vërtetë shumë kohë që të dëgjosh fjalën e tij”, thekson Rama. Ai tha se nuk ka vend më të mirë se Austria për të marrë veten nga depresioni i Brukselit dhe falënderoi kancelarin austriak për mikpritjen. “Shumë njerëz i komentuan ato çfarë thashë në konferencë për shtyp si një zemëratë të madhe, por nuk ka të bëje me ne por me BE-në. Pasi qëndruam atje katër orë të tëra, ndjemë pafuqinë përballë një situate surreale, ku Bullgaria merrte peng dy vende të NATO-s, në mes të një lufte të nxehtë në kufij të Evropës. Bullgaria e hoqi veton dje, por kjo gjë nuk lidhet vetëm me Bullgarinë, ka diçka në të thellë që është humbur e që duhet rikuperuar shpejtë. Dëgjojmë që Putini është i sëmurë, mund të jetë e vërtetë e mund të mos jetë, por nuk duket që BE-ja është e shëndetshme. Dëgjova nga një mik francez që thoshte se Putini ka bërë të kundërtën e asaj çfarë kërkonte duke bashkuar Evropën dhe NATO-n, por nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë, s’duhet të marrim të mirëqenë asgjë”, ka thënë Rama. Sipas tij, sa më shumë njerëzit kanë, aq me pak janë të prirur të heqin dorë. Ai ka dërguar edhe mesazh deri te Ukraina dhe populli ukrainas të mos jenë shumë optimistë. “Shpresoj që ukrainasit të mos kenë shumë pritshmëri për atë çfarë morën nga BE, është thjesht një ilaç kundër depresioni”, tha Rama.

QËNDRONI TË LIDHUR