• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qeveria vërtetoi më shumë dokumente për bashkëpunim në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur"

Qeveria vërtetoi më shumë dokumente për bashkëpunim në kuadër të nismës
Shkup, 30 gusht 2022 (MIA) - Qeveria në seancën e sotme ka miratuar disa raporte për negociata të përfunduara dhe tekst-dokumentet e përcaktuara në kuadër të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”, të cilat do të finalizohen gjatë vizitës së delegacionit qeveritar në Beograd me rastin e mbajtjes së Panairit të ushqimit dhe verës, nga 1-4 shtator, njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë. Nisma ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë të vendeve nënshkruese, inkurajimin e rritjes ekonomike, lëvizshmërinë dhe promovimin e turizmit, si dhe të përshpejtojë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim sot u miratua Raporti për negociata të përfunduara për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mekanizmave të sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor dhe u pranua teksti i Marrëveshjes. Marrëveshja parashikon parandalimin e mungesës së produkteve bazë bujqësore dhe ushqimore në tregjet e pjesëmarrësve në nismën "Ballkani i Hapur", për sifurimin e mirëqenies së qytetarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e respektuar parimin e solidaritetit, si një nga parimet bazë të kësaj Nisme. Palët janë dakorduar që nga anëtarët e nismës "Ballkani i Hapur" nuk do të ketë ndalime për rieksportin e tregtisë drejt vendeve të treta të produkteve bazë bujqësore dhe ushqimore dhe që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes palët do t'i shfuqizojnë të gjitha kufizimet dhe masat sasiore me efekt të njëjtë në importin e produkteve bazë bujqësore dhe ushqimore të specifikuara në Marrëveshje. Palët janë dakorduar që autoritetet e tyre kompetente do të punojnë së bashku për të zhvilluar një Udhërrëfyes/Plan aksional – 2030 për sigurinë ushqimore në kuadër të Iniciativës “Ballkani i Hapur”. Duke pasur parasysh bashkëpunimin e mëparshëm të suksesshëm dypalësh në fushën e mbrojtjes civile ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, pjesëmarrja në kuadër të Nismës rajonale për gatishmëri dhe përballje me fatkeqësitë në Evropën Juglindore, si dhe anëtarësimi në Mekanizmin për mbrojtje civile të Unionit sot është shqyrtuar dhe miratuar edhe Informacioni për miratimin e Planit operativ në fushën e mbrojtjes civile ndërmjet këtyre tri vendeve në kuadër të Iniciativës “Ballkani i Hapur”. Plani operativ, i cili nënshkruhet ndërmjet institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe mbrojtjen dhe shpëtimin e popullatës gjatë fatkeqësive, do të mundësojë lehtësim të procedurave dhe shkurtim të kohës së nevojshme për vendosjen e ndihmave aty ku është më se e nevojshme, si dhe intensifikim i bashkëpunimit në parandalimin dhe zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR