• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës, u pritën në takim nga presidenti i Francës, Emanuel Makron

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës, u pritën në takim nga presidenti i Francës, Emanuel Makron

Prishtinë, 10 nëntor 2022 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u pritën sot në Pallatin e Eliseut në takim nga presidenti i Republikës franceze, Emanuel Makron.

Në takim me Makronin, Osmani dhe Kurti diskutuan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Osmani dhe Kurti e falënderuan Makronin për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e këtij procesi. Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës në procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilët janë të paprekshme.

Në takim, Osmani dhe Kurti potencuan se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Ata kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, Osmani dhe Kurti kanë përmendur tendencat destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Të dy kanë thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë.

"Kosova vazhdon të jetë shembull në rajon dhe më gjerë sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë. Kjo është arritje e Kosovës dhe aleatëve perëndimor, prandaj ka theksuar nevojën për veprime të përbashkëta për t’i ruajtur këto të arritura", janë shprehur Osmani dhe Kurti.

Më tej, Osmani dhe Kurti potencuan se Kosova është një partnere e besueshme dhe kredibile e Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik, dhe se forcimi i pozitës ndërkombëtarë të saj është vlerë e shtuar për komunitetin ndërkombëtar dhe botën demokratike. Në këtë drejtim, ajo foli për hapat konkretë të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike.  Osmani dhe Kurti kanë kërkuar që mbështetja e Francës të vazhdojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pastaj në programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë në NATO si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Në takim me homologun Makron, Osmani dhe Kurti kanë folur edhe për rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, vendim i cili do të kontribuojë në forcimin e kredibilitetit të BE-së. fb/

QËNDRONI TË LIDHUR