• e premte, 05 dhjetor 2025

Presidenti i përkohshëm i Sirisë dhe ministri gjerman Vadeful biseduan për fazënh e re të marrëdhënieve mes dy vendeve

Presidenti i përkohshëm i Sirisë dhe ministri gjerman Vadeful biseduan për fazënh e re të marrëdhënieve mes dy vendeve

Damask, 30 tetor 2025 (MIA) - Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Shara, sot në Damask u takua me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Johan Vadeful, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kjo është vizita e parë e Vadeful në Siri që kur mori detyrën si ministër i Punëve të Jashtme në maj. Paraardhësja e tij, Analena Berbok e të Gjelbërve, vizitoi Sirinë dy herë, pas përmbysjes së presidentit të atëhershëm Bashar al-Asad në dhjetor të vitit 2024 nga një koalicion islamist.

"Me rënien e diktaturës së Asadit, populli sirian ka hyrë në një epokë të re. Ne duam t'i ndihmojmë ata të marrin kontrollin e së ardhmes së vendit të tyre", tha Vadeful para se të nisej për në Damask.

Deklarata e presidencës siriane tha se al-Shara dhe Vadeful diskutuan për "mundësitë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh në sferat politike, ekonomike dhe humanitare".

Ambasada gjermane në Damask, e cila u mbyll në vitin 2012 për shkak të luftës civile, u rihap në mars të këtij viti, pas një takimi midis Berbok dhe al-Shara.

Gjermania ka pranuar qindra mijëra refugjatë sirianë dhe afganë që ikën nga konfliktet civile në vendet e tyre, ndërsa kriza e migracionit arriti kulmin në vitin 2015. Shumë prej këtyre refugjatëve sot ende jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

Sipas të dhënave të OKB-së, pas rënies së Asadit dhe përfundimit të luftës civile 13-vjeçare, rreth një milion refugjatë janë kthyer në Siri. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR