• e premte, 05 dhjetor 2025

Presidenti i Malit të Zi e nënshkroi dekretin kontestues me EBA-n për turizëm dhe patundshmëri

Presidenti i Malit të Zi e nënshkroi dekretin kontestues me EBA-n për turizëm dhe patundshmëri

Podgoricë, 9 qershor 2025 (MIA) - Presidenti malazez Jakov Milatoviq ka nënshkruar sot një dekret me të cilin shpallet Marrëveshja kontroverse për bashkëpunim midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në fushën e turizmit dhe pasurive të patundshme, megjithëse një pjesë e shoqërisë malazeze nuk e miraton atë, njoftuan mediat malazeze.

Një pjesë e sektorit joqeveritar, opozita, si dhe vetë Milatoviq, besojnë se dokumenti është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe rendin juridik të Bashkimit Evropian, veçanërisht në aspektin e prokurimit publik, transparencës dhe konkurrencës.

Siç theksojnë nga Kabineti i presidentit, Milatoviq me keqardhje ka konstatuar se, pavarësisht kthimit të ligjit për rishqyrtim me një shpjegim të argumentuar mirë, deputetët e shumicës në pushtet e rimiratuan atë më 3 qershor, duke i lënë në plan të dytë interesat e qytetarëve.

Marrëveshja u nënshkrua në fund të marsit nga kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zajed Al Nahjan. Në prill, deputetët miratuan dy marrëveshje dypalëshe me Emiratet e Bashkuara Arabe - njëra për bashkëpunim ekonomik dhe një tjetër, kontestuesja, për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme. Deputetët nga partia më e madhe e opozitës – Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) – nuk ishin të pranishëm në votim. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR