Polonia: Kaçinski përjashton Moravjeckin dhe krahun ekonomik liberal nga "Ligje dhe Drejtësi"
- Partia opozitare polake "Ligje dhe Drejtësi" (PiS) ka përjashtuar ish-kryeministrin Mateush Moravejcki dhe një grup të madh deputetësh nga radhët e saj pas një përçarjeje të thellë brenda partisë, kumtoi sot për servisin publik TVP kryetari i organit disiplinor të partisë, ndërsa transmeton agjencia DPA.
- Post By Ramize Qamili
- 15:48, 14 gusht, 2026
Varshavë, 14 gusht 2026 (MIA) - Partia opozitare polake "Ligje dhe Drejtësi" (PiS) ka përjashtuar ish-kryeministrin Mateush Moravjecki dhe një grup të madh deputetësh nga radhët e saj pas një përçarjeje të thellë brenda partisë, kumtoi sot për servisin publik TVP kryetari i organit disiplinor të partisë, ndërsa transmeton agjencia DPA.
Përjashtimet përfshijnë gjithsej 38 deputetë, mes të cilëve edhe Moravjeckin, si dhe dy senatorë. Organi i brendshëm disiplinor zbuloi se ata kishin shkelur statutin e partisë duke u larguar nga grupi parlamentar PiS dhe duke formuar grupin e tyre parlamentar. Partia konservatore PiS më parë kishte 181 vende në Sejm (dhoma e poshtme e parlamentit polak) dhe 33 vende në Senat (dhoma e sipërme).
Përçarja në parti u përshkallëzua në fund të muajit të kaluar pas një lufte për pushtet midis themeluesit të PiS, Jarosłav Kaçinski, 77 vjeç, dhe Moravjecki, 58 vjeç. Moravjecki refuzoi të mbështeste "kthesën e mëtejshme djathtas" të imponuar nga Kaçinski dhe, së bashku me përfaqësues të tjerë të krahut ekonomik liberal, formuan një fraksion brenda partisë të quajtur "Zhvillimi plus".
Kaçinski kërkoi shpërbërjen e menjëhershme të grupit dhe u lëshoi një ultimatum të gjithë anëtarëve që të nënshkruanin një deklaratë besnikërie. Pasi Moravjecki i hodhi poshtë të dyja kërkesat dhe publikoi formimin e një grupi parlamentar të pavarur, filluan procedurat e përjashtimit të tij dhe mbështetësve të tij nga "Zhvillimi plus".
Partia "Ligje dhe Drejtësi" udhëhoqi me Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023. Gjatë asaj kohe, ajo zbatoi reforma rrënjësore në sistemin gjyqësor, të cilat çuan në konflikte serioze me Komisionin Evropian. Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare në tetor 2023, PiS mori rolin e partisë më të madhe opozitare në vend.
Foto: EPA