• e martë, 17 shkurt 2026

Pesë të rinj kanë humbur jetën në zjarrin në një ndërtesë banimi në Spanjën verilindore

Pesë të rinj kanë humbur jetën në zjarrin në një ndërtesë banimi në Spanjën verilindore

Madrid, 17 shkurt 2026 (MIA) - Pesë të rinj të moshës 14 deri në 18 vjeç kanë humbur jetën në zjarrin që e ka përfshirë një depo në një ndërtesë banimi në Manleu, në rajonin spanjoll të Katalonjës, raportoi sot shërbimi publik kombëtar RTVE.

Edhe katër persona të tjerë janë plagosur lehtë në zjarrin në ndërtesën pesëkatëshe në qytet, e cila ndodhet rreth 80 kilometra në veri të Barcelonës. Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur për momentin, transmeton DPA.

Sipas shërbimeve të emergjencës, zjarri shpërtheu vonë mbrëmë në një depo në katin e sipërm të ndërtesës, e cila përdorej si vend për tubime të të rinjve. Viktimat nuk arritën të shpëtonin në kohë.

E gjithë ndërtesa duhej të evakuohej, dhe disa familje arritën të ktheheshin në shtëpitë e tyre këtë mëngjes. Gazeta "La Vanguardia" raportoi se tre familje u strehuan përkohësisht në një hotel.

Pjesa e qytetit ku shpërtheu zjarri është shtëpia e shumë njerëzve me origjinë marokene. RTVE raporton se komuniteti maroken është goditur rëndë nga tragjedia dhe shumë fqinjë janë në gjendje shoku.

"Ne të gjithë i njihnim... Ishin fëmijë", tha një banor i ndërtesës për RTVE.

Salvador Illa, kryetar i qeverisë katalanase, publikoi në X se ishte "i tronditur nga vdekja e pesë të rinjve". Ai falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre të shpejtë. mb/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR