• e hënë, 23 dhjetor 2024

Peleshi: Shqipëria inkurajon dialogun për zgjidhjen e problemeve në pjesën veriore të Kosovës

Peleshi: Shqipëria inkurajon dialogun për zgjidhjen e problemeve në pjesën veriore të Kosovës
Tiranë, 15 nëntor 2022 (MIA) – Shqipëria inkurajon dialogun për zgjidhjen e problemit në pjesën veriore të Kosovës, tha sot ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Sipas tij, Kosova ka plotësisht të drejtë kur kërkon reciprocitet me Serbinë. "Komenti im është për qeverinë shqiptare, e bëri të ditur kryeministri publikisht. Ne jemi pro zgjidhjes përmes dialogut, ndaj inkurajojmë dialogun. Sigurisht që Kosova është në të drejtën e saj për të kërkuar reciprocitet, për të kërkuar zbatimin e ligjshmërisë në të gjithë territorin e saj. Kosova është shtet i pavarur, ka sovranitetin e saj të pacenueshëm, padyshim, por vetëm dialogu do t'i zgjidhë të gjitha çështjet mes vendeve tona drejt destinacionit të vetëm të Ballkanit Perëndimor, që është integrimi në strukturat euroatlantike, tha Peleshi. Ai shtoi gjithashtu se integrimi në BE është një aspiratë e gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor. "Ne jemi tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që e kemi përfunduar gjysmën e rrugës, pra jemi anëtarë të NATO-s, por jemi ende në rrugën drejt BE-së. Serbia ka një agjendë të ndryshme nga ne për sa i përket integrimit në NATO, por të gjitha vendet e tjera në rrugën drejt NATO-s kanë destinacionin e tyre dhe tre prej tyre kanë mbërritur. Kjo është arsyeja pse ne inkurajojmë dialogun, ulur rreth tryezës. Dialogu vazhdon prej disa vitesh. Është mirë që të gjitha arritjet mbahen dhe përmirësohen, vlerëson ai. Duke folur për situatën në Ukrainë dhe zhvillimet në G20, Peleshi theksoi se nesër mblidhet Grupi i Kontaktit nën drejtimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ku marrin pjesë 55 vende që janë për paqen dhe kundër luftës së Rusisë. "Kjo luftë nuk duhej të fillonte, por tani duhet të përfundojë sa më shpejt, sepse është një luftë e rrezikshme dhe që ka prishur ekuilibrin gjeopolitik. Ajo e solli botën në një gjeopolitikë të re. Ajo tronditi ekonominë botërore. Inflacion ekziston edhe në vendin tonë, megjithëse është më i ulët në krahasim me vendet e tjera, vuri në dukje Peleshi gjatë vizitës së tij në Korçë. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR